VIDEO/ Kaosi me fiskalizimin, eksperti Ceko: Ligj i nxituar që qeveria të mburret si 'vendi i parë në botë'

Eksperti i ekonomisë, Enriko Ceko është ftuar mëngjesin e sotëm në emisionin ”Kafe Shqeto” në SYRI TV, për të shpjeguar pse po ndodh kjo amulli me procesin e fiskalizimit, të shpallur me aq bujë nga qeveria, por që ka krijuar shqetësime të mëdha tek bizneset.

“Ju falenderoj që më ftuat të flas për këtë proces që ka sjellë kaos dhe anarki shumë të madhe në komunitetin e biznesit në Shqipëri dhe kryesisht në “zemrën” e ekonomisë shqiptare, që është biznesi i vogël dhe i mesëm," - tha Ceko.

“Unë mendoj duke filluar nga 1 shtatori, kur futet edhe pjesa më e madhe e bizneseve me xhiro nën dy milion lekë, situata do të jetë më e vështirë, shtuar këtu faktin se një pjesë e biznesve janë në segmentin Tiranë-Durrës, kurse pjesa tjetër janë të shpërndara në të gjithë territorin ku ka dhe mungesë informacioni apo për gjetjen e teknologjive të përshtatshme e nga ana tjetër jo i gjithë territori i vendit është i mbuluar me internet.

Personalisht, për mua ligji 87219 është një ligj i nxituar, si gjithmonë kur bëhen ligjet “shiko, kështu Shqipëria është vendi i parë në botë, që gjithë bizneset i nënshtrohen sistemit të monitorit, të fiskalimit...”

E imagjinoni, para disa vitesh kur qeveria mburrej se ishte vendi i parë në botë që kishte të mbuluar të gjithë territorin me rrjet dixhital për televizionet, në një kohë kur ajo s’kishte të bënte me qeverinë po ishte çështje e biznesit privat. Për mua është e njëjta situata, që qeveria do thjesht të mburret që është vendi i parë në botë që e ka këtë sistem dhe prandaj nxiton duke vënë edhe afate dhe, edhe pse vë afate, është po kjo qeveri që i shtyn ato.”

Ndiqni intervistat e plotë në vazhdim, pasi përveç zotit Ceka, në studion u ftuan edhe përfaqësues të biznesit të vogël, pra, ata “që e vuajnë në kurriz” fiskalizimin, siç u shprehën moderatorët./ar.sh/SYRI.NET