Anglia del në finale me ndihmën e Harry Kane dhe fatit

Anglia është finalistja tjetër e Euro2020. Ata fituan gjysmëfinalen kundër Danimarkës, në një ndeshje që u dominua nga debatet e forta. Në qendër të diskutimeve një penallti e dyshimtë në favor të Anglisë. Por edhe diskutimi për topin e dytë që u shfaq në fushë në prag të penalltisë. Loja duhej të ishte ndërprerë, thonë tifozë e disa ekspertë. Më pas ajo rreze lazer mbi fytyrën e portierit danez, teksa priste penalltinë. Edhe anglezët thonë se janë diskriminuar, pasi vendosja e murit në rastin e golit të danezëve nuk ishte siç duhet

BILD

Anglia vazhdon të ëndërrojë! ‘Tre luanët’ mposhtën Danimarkën 2-1 në kohën shtesë.

Heroi i mbrëmjes: Sulmuesi yll i ekipit, Harry Kane, që shënoi një penallti në kohën shtesë në minutën e 105. Anglia shpreson të fitojë kundër Italisë në Wembley të dielën, ky do ishte titulli i tyre i parë që nga viti 1966.

Wembley po dridhet, zyrtarisht 65 mijë tifozë siguruan që të ketë një atmosferë të denjë për një gjysmëfinale të Europianit.

Por brohoritjet e para shkuan për danezët dhe Mikkel Damsgaard. Përpjekja e tij e parë shkoi kot, por goditja e dytë e lirë me një teknikë fantastike ekzekutimi shkoi poshtë traversës. Për Jordan Pickford, ky ishte goli i parë që pësonte pas 725 minutash- një rekord anglez!

Një shans i humbur dhe një gol i shënuar- edhe vendasit reagojnë në këtë mënyrë. Fillimisht Sterling dështoi përballë një pritje brilante të Schmeichel. Më pas Simon Kjaer e dërgon në rrjetë një kros të Saka në drejtim të Sterling. Ky është autogoli i 11-të në Kampionatin Europian.

Anglia është më e mirë pas kësaj, por Danimarka ka në fushë lojtarin më të mirë. Kasper Schmeichel bën gjithçka që të bëhet kampion evropian, si babai i tij Peter në vitin 1992.

Momenti më i mirë i Kaspër është kur pret fillimisht një goditje me kokë të Maguire dhe më pas një top 'tradhtar' që ishte drejtuar për nga porta në minutën e 73-të.

Më pas vjen momenti i Kane. Sulmuesi, që shkëlqen edhe si organizator loje, futet në zonën e rreptësisë dhe rrëzohet pas një kontakti me Noergaard. Wembley bën thirrje për penallti. Trajneri holandez, Danny Makkelie sinjalizon për një faull. Eksperti i ZDF, Manuel Graefe është dakord: “Kane më shumë luajti një skenë. Nuk ishte e mjaftueshme për një penallti”.

Danimarka lufton dhe e dërgon ndeshjen në shtesë, me një mbrojtje luftarake.

Schmeichel sërish mbahet i fortë kundër Kane në minutën e 94 dhe Grealish në minutën e 98-të. Më pas ndërhyn prapë Makkelie: Pas një kontakti minimal të Jansen dhe Maehle ndaj Sterling, holandezi jep penallti- një vendim brutal. Veçanërisht kur në fushë është një tjetër top i dytë pranë Sterling.

Thorsten Kinhoefer, eksperti i arbitrimit, thotë për BILD: “Në një gjysmëfinale Europiani nuk lejohet të jepet një penallti e tillë. Ai e preku atë, por në këtë pikë të ndeshjes duhet të jetë një faull 110 përqind. Dhe në fakt nuk ishte!”

Kane merr në dorë shansin. Schmeichel pret penalltinë, por nuk ia del me goditjen e dytë të sulmuesit të Tottenham, që shënon golin e tij të katërt në minutën e 105-të. Anglia merr një fitore të merituar.

Dhe Wembley vazhdon të dridhet.