Shembja e godinës në Florida: Tani nuk ka më shpresa për ndonjë të mbijetuar

Ekipet e shpëtimit që janë duke krehur rrënojat e një ndërtese të shembur në Florida, janë duke kaluar nga një mision kërkim-shpëtimi në një përpjekje rikuperimi.

Vendimi vjen rreth dy javë pasi godina  12-katëshe Champlain Toëers South u shemb në mes të natës.

Pesëdhjetë e katër viktima janë gjetur dhe 86 janë ende të zhdukur, thanë zyrtarët e qytetit Surfside.

Asnjë i mbijetuar nuk është gjetur që nga shembja fillestare dhe ekipet e shpëtimit thonë se shumë viktima u gjetën në shtretërit e tyre.

Lajmi se misioni i shpëtimit po mbaronte erdhi gjatë një takimi privat të mërkurën midis familjeve të të zhdukurve dhe Asistentit të Shefit të Zjarrfikësve në Miami-Dade Raide Jadallah.

Kryebashkiaku i Surfside Charles Burkett më vonë tha në një konferencë për shtyp: "Lajmet e sotme janë jashtëzakonisht të vështira.

"Ne të gjithë kemi punuar me pasion ditë e natë për dy javë për të shpëtuar jetë. Njoftimi sot vjen si rezultat i një konsensusi nga ata që janë më pranë përpjekjeve të shpëtimit se mundësia që dikush të jetë ende gjallë është afër zeros.

"Dhe ndërsa duket se nuk ka asnjë shans për të gjetur jetë në rrënoja, një mrekulli është ende e mundur."

Ekipet kishin punuar në ndërrime të vazhdueshme 12-orëshe dhe u ndihmuan nga ekipet nga Izraeli dhe Meksika.

Numri i të vdekurve u rrit me 10 të mërkurën, pasi zyrtarët e Surfside thanë se ishin në gjendje të hiqnin një pjesë të madhe të betonit.

Ekipet e shpëtimit kanë mbushur kova me beton me dorë dhe duke i kaluar ato poshtë një vije ndërsa heqin mbeturinat. Rrënojat po mbahen në një depo shtetërore për inspektim të mëtejshëm.

Misioni është ndalur disa herë, për shkak të paqëndrueshmërisë në tumën e rrënojave si dhe Stuhisë Tropikale Elsa, e cila bëri zbarkimin në Florida të mërkurën.

Ndërkohë, një hetim i madh i jurisë ka nisur në përpjekje për të përcaktuar arsyen e shembjes së 24 qershorit.