Anglia eliminon në shtesë Danimarkën, përballë Italisë në finalen e 11 korrikut në ‘Wembley’

Ka përfunduar në “Wembley” gjysmëfinalja e dytë e “Euro 2020” mes Anglisë dhe Danimarkës.

Ashtu si mbrëmjen e djeshme në Itali-Spanjë, edhe në Angli-Danimarkë koha e rregullt u mbyll me rezultatin 1-1.

Në shtesë janë anglezët që shënojnë, duke fituar 2-1 dhe kualifikohen në finale, ku më 11 korrik do të përballen në “Wembley” me Italinë.

Përsa i përket takimit, fillimisht kaloi Danimarka në avantazh me anë të Damsgaard me një goditje dënimi në minutën e 30-të.

Anglia reagon shpejt, ku pas një aksioni në minutën e 39-të, kapiteni i danezëve, Simon Kjaer, detyrohet të shkaktojë autogol.

Me rezultatin 1-1 mbyllet pjesa e parë, teksa 45 minutat e dyta nuk prodhuan gol.

Në kohën shtesë, “Tre Luanët” fitojnë një penallti, të cilën e ekzekuton Harry Kane.

Gjuajtja e kapitenit pritet nga portieri i Danimarkës, Schmeikel, por topi mbetet në zonë dhe Kane e ndjek, duke e dërguar në rrjetë.

Ky gol i dha suksesin skuadrës së Gareth Southgate, e cila ndaj Italisë do të kërkojë trofeun e parë në një Kampionat Europian.