Xhaferri: Vllaznia është kompakte, sigurojmë kualifikimin në Bosnje

Vllaznia ka mbërritur në Bosnjë & Hercegovinë për t’u përballur me vendasit e Siroki Brijeg në ndeshjen e turit të parë eliminator të Ligës së Konferencës, ndërsa sponsori i skuadrës, Alban Xhaferri ka dhënë një intervistë, ku ka folur për atmosferën para kësaj ndeshjeje, por edhe merkaton e objektivat e klubit shkodran.

 

Si është atmosfera në ekip para kësaj ndeshjeje?

Kemi pasur një udhëtim të mirë dhe duket një atmosferë mjaft e mirë, me kushte mjaft të mira akomodimi. Trajneri ka pasur një mbledhje me futbollistët, ku ka analizuar edhe kundërshtarin, teksa djemtë i shoh të karikuar, ndaj mendoj se do të bëjmë një paraqitje mjaft të mirë.

 

A jeni optimist për kalimin e turit?

Ne jemi gjithmonë optimistë dhe të motivuar maksimalisht, por të mos e nënvlerësojmë kundërshtarin, pasi është skuadër boshnjake apo ballkanase dhe luan futboll të fortë fizik. Synimi është kualifikimi, ndaj jemi të bindur që do të kemi një rezultat sa më të mirë këtu.

 

Do të provoni të zgjidhni kualifikimin që nesër këtu?

Do të luftojmë, pasi do të ishte më e lehtë edhe për ndeshjen e kthimit në Shkodër. Jemi të kënaqur edhe me një barazim këtu, por do luftojmë të zgjidhim gjithçka që këtu në Bosnjë.

 

A mendoni se Vllaznia është më e fortë se ajo e sezonit të kaluar?

Mendoj se është një Vllazni më kompakte, por sigurisht që ne do të vazhdojmë të plotësohemi, sepse gjatë këtyre ndeshjeve në Conference League mund të vijnë oferta për të tjerë futbollistë që kemi në ekip. Kemi bërë disa transferime të suksesshme, të cilët do të tregojnë veten shumë shpejt. Ndoshta jo të gjithë do të luajnë nesër, pasi ndikojnë faktorë si përgatitja fizike apo harmonizimi me skuadrën. Jemi një skuadër e plotësuar dhe në kushte të mira, por kemi nevojë të bëjmë ndonjë përforcim në mesfushë apo në sulm, ndaj të shohim lëvizjet e reja.

 

Në stadium nuk do të lejohen tifozët shkodranë. A mendoni se do të jetë ndryshe javën e ardhshme në “Loro Boriçi”?

Për fat të keq është një vendim i UEFA-s, që nuk lejon praninë e tifozëve tanë për shkak të situatës me Covid-19, ndaj nuk do të kemi tifozëri dhe kjo është një minus për ne. Sa i përket ndeshjes së kthimit, stadiumi do të jetë i hapur në masën 30% dhe shpresoj që të ezaurohet i gjithë kapaciteti në dispozicion të tifozëve. Shkodrës i mungon pjesëmarrja në Europë prej shumë vitesh dhe ka shumë entuziazëm, ndaj pres mbështetje maksimale dhe dekor të bukur në stadium. (Super Sport)