Simone Inzaghi thotë fjalët e para si trajner i Interit: Duhet të mbrojmë titullin kampion

Merr jetë Interi i Simone Inzaghit. Trajneri 45-vjeçar ka nisur këtë të mërkurë zyrtarisht aventurën zikaltër.

Ai tha edhe fjalët e para si timonieri i ri i kampionëve të Italisë nga salla e konferencave për shtyp, ku u prezantua para mediave nga administratori i deleguar Giuseppe Marotta.

Për Simone Inzaghin kjo me Interin mund të konsiderohet pa dyshim si sfida më e rëndësishme në karrierë, pasi ish-trajneri i Lazios ka marrë përsipër misionin e vështirë për të vazhduar rrugën e sukseseve të lënë përgjysmë nga Antonio Conte.

Inzaghi e pranoi se objektivi kryesor i Interit në sezonin e ri do të jetë mbrojtja e titullit kampion, ndërkohë që edhe në Champions do të synohet minimalisht kalimi i fazës së grupeve.

“Jam shumë entuziast për këtë sfidë të re në karrierën time. Jam maksimalisht i motivuar. E di që më pret një punë e vështirë, por njëkohësisht edhe një sfidë shumë e bukur. Drejtuesit më bindën menjëherë për të pranuar ofertën e Interit pasi në pak ditë treguan një dëshirë të madhe për të më patur.

Duhet të mbrojmë titullin kampion dhe nuk do të jetë e lehtë pasi janë shumë skuadra që do të luftojnë për të na zbritur nga froni. Dua të komplimentoj klubin dhe trajnerin Conte që arritën të fitonin një kampionat që Interit i mungonte prej shumë vitesh.

Merkato? Ka ende shumë kohë për merkaton dhe ju siguroj se do të ketë lëvizje. E dija që Hakimi do të largohet por drejtuesit më kanë premtuar se skuadra do të mbetet kompetitive ashtu si sezonin e shkuar. Objektivi kryesor do të jetë mbrojtja e titullit por edhe në Champions duam të bëjmë mirë pasi Interi ka 10 vite që nuk kalon grupin”