VIDEO/ Ambasadorja Yuri Kim: Plotësoni vakancat, dënoni korrupsionin

Në konferencën e mbajtur nga Ministria e Drejtësisë për drejtësinë penale, ambasadorja e SHBA, Yuri Kim tha se lufta ndaj korrupsionit duhet të vazhdojë pasi fenomeni cenon sigurinë. Nga ana tjetër kreu i SPAK Arben Kraja paralajmëroi goditje të tjera të abuzimeve me fonde publike dhe kërkoi plotësimin me 20 prokurorë të SPAK.

Nga SYRI TV

Ambasadorja e SHBA-së në Tiranë Yuri Kim, duke kujtuar urdhrin e presidentit Joe Biden për luftën ndaj korrupsionit, kërkoi më shumë punë nga prokuroria, duke thënë se ky urdhër ka përfshirë edhe Shqipërinë pasi janë identifikuar sjellje të tjera të dënueshme.

Në konferencën e organizuar nga Ministria e Drejtësisë për drejtësinë penale, Kim tha gjithashtu se duhet të plotësohen vakancat në sistem.

Ndërkohë drejtuesi i SPAK Arben Kraja, paralajmëroi se në javët në vijim do të përmbyllen hetime të tjera që lidhen me shfrytëzimin e fondeve publike dhe korrupsionin.

Në konferencën për drejtësinë penale foli edhe kreu i KLP-së, Gent Ibrahimi, kryeprokurori Olsian Çela dhe ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj, të cilët konsideruan ndryshimet në kuadër të Reformës të suksesshme.