Gazetari holandez Peter R. de Vries në luftë me vdekjen pasi atentatit në Amsterdam

Gazetari i njohur holandez i kronikës, Peter R de Vries, është në luftë me vdekjen pasi u qëllua me armë në një rrugë të Amsterdamit të martën në mbrëmje.

De Vries – i famshëm në Holandë për ekspozimin e kriminelëve të njohur dhe për të folurit në emër të viktimave të krimit – u qëllua në kokë dhe trup, thanë dëshmitarët për median.

Sulmi ka tronditur gjithë shoqërinë holandeze, e cila prej vitesh e ka parë de Vries në televizion duke trajtuar – dhe zgjidhur – çështje të famshme, përfshirë disa nga gabimet më të mëdha të drejtësisë në historinë e krimit holandez.

Gazetari dhe prezantuesi 64-vjeçar u qëllua pesë herë, tha policia, e cila shtoi se janë arrestuar tre persona, përfshirë një polak e një holandez. I treti është lënë i lirë.

Ndërsa motivi mbetet i paqartë, de Vries ka bërë shumë armiq gjatë viteve.

‘Vjet, de Vries veproi si këshilltar konfidencial për dëshmitarin e Kurorës në gjyqin kundër Ridouan Taghi, një bos krimi i njohur që u arrestua në Dubai më 2019’, tha Ëouter Laumans, reporter kronike në të përditshmen Het Parool.

Marokeni nga origjina Taghi ka qenë i kërkuar për vrasje dhe trafik droge. Organizata që mendohet se drejton ai është lidhur me nëntë vrasje dhe disa atentate të dështuar, sipas medias holandeze.

Më 2019, avokati i dëshmitarit të akuzës, Derk Wiersum, u vra në rrugë para shtëpisë së tij në Amsterdam.

De Vries u qëllua në orën 7:30 në mbrëmje pasi doli nga një studio televizive, ku kishte marrë pjesë në një talk shoë.

Het Parool citon një banore të zonës, e cila thotë se dëgjoi pesë të shtëna dhe doli të shihte çfarë kishte ndodhur. Ajo tha se pa de Vries të shtrirë përtokë me fytyrën të përgjakur.

Ai nuk mund të fliste, por ishte ende gjallë, dhe ajo i mbajti dorën teksa prisnin për urgjencën.

Në një deklaratë në Tëitter, djali i de Vries, Royce, shkruan: ‘Dje, makthi ynë më i keq u bë realitet. Ne si familje e rrethojmë Peterin me dashuri e shpresë gjatë kësaj faze të vështirë. Shumë gjëra janë të paqarta, por e qartë është që e gjithë shprehja e përkrahjes nga i gjithë vendi është një mbështetje e madhe’.

Kryeministri Mark Rutte tha në një konferencë për shtyp në Hagë se atentitati ishte ‘tronditës dhe i pabesueshëm’.

‘Është një sulm kundër një gazetari të guximshëm e për rrjedhojë është sulm kundër lirisë së shtypit, e cila është thelbësore për demokracinë tonë dhe shtetin ligjor’, tha Rutte.