‘Shyqyr që u dënua’, rrëfimi i mjekut që trajtoi gruan e përdhunuar nga serbi

Gjykata Themelore në Prishtinë dje dënoi serbin Zoran Vukotiç me 10 vjet burgim për dhunë seksuale ndaj një gruaje shqiptare, gjatë majit të 1999, gjersa në Kosovë po vazhdonte lufta. Shukri Gërxhaliu, mjeku në pension që mblodhi rrëfimet e 134 grave viktima të dhunës seksuale nga ushtarët e policët serbë në Vushtrri, thotë ta ketë lehtësuar shpirtërisht lajmi për dënimin e ish-policit serb.

Ish-mjeku i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka treguar se si e mori lajmin e dënimit të Zoran Vukotiçit.

“Shyqyr Zotit që u dënua. Ka bo krime të mëdha, vrasje, dhunime. Një lehtësim shpirtëror që së paku një u dënua. Kisha pasur qejf që të dënohen edhe të tjerët, sepse 20 mijë gra në Kosovë dhe 134 gra në Vushtrri janë dhunuar. Jam pak më i qetë dhe shpresoj që edhe të tjerët të dalin para drejtësisë. Më mirë pak se hiç, më mirë vonë se kurrë”, tha Gërxhaliu të martën për Reporteri.net.

Gërxhaliu që me profesion është mjek, dëshmoi dy herë në Gjykatë kundër Vukotiçit.

Së fundmi, ai u paraqit këtë vit në gjykimin që dje Gjykata Themelore e Prishtinës e përfundoi me dënim prej 10 vitesh burgim për ish-policin serb.

“Kam qenë me dëshmu, edhe këtu si dëshmitar para 2 ose 3 muaj dite si dëshmitar kundër Vukotiçit për këtë gruan. Shkova, dëshmova, askush nuk më dha asnjë vërejtje, as avokati i Vukotiçit, as prokurori e as gjykatësi”, rrëfen Gërxhaliu.

Tutje, Gërxhaliu tregon se gruaja për të cilën Vukotiç u dënua për përdhunim ishte paciente e saj.

Gërxhaliu kujtoi se si pas përdhunimit gruaja që atëbotë ishte shtatzënë kishte abortuar.

“Ai rasti kryesor ka qenë paciente e imja. Pas dhunimit i ka abortu dy djem binjak. Janë të dhunuara edhe motrat e saj. Kemi pas shumë sfida me bind, por kjo u deklarua dhe u bë mirë që u denu. Gratë e dhunuara që kanë fol me mu e m’kanë thënë veç unë e ti e Zoti e dimë, mos ta di kërkush tjetër”, shtoi Gërxhaliu.

Dje, Gjykata Themelore e Prishtinës dënoi me 10 vjet burgim ish-rezervistin polic serb, Zoran Vukotiç, pasi u faktua se i njëjti gjatë luftës së fundit në territorin e Vushtrrisë përdhunoi një grua shqiptare.

Kujtojmë që deri më tani, vetëm 959 personave u është njohur statusi i viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës së fundit.