Morën ryshfet për operacionin e të plagosurit në Velipojë, gjykata i lë në burg mjekët

“Arrest me burg” ka dhënë gjykata e shkallës së parë në Shkodër për dy mjekët Ervin Sulaj dhe Serdi Memini si dhe infermieren nga Shkodra Diellë Macaj. Ndërkohë për shtetasin Fatbardh Dyli babai i shtetasit të plagosur Elmidin Dyli gjykata dha masën e sigurisë “detyrim paraqitje” duke e liruar atë, kjo me kërkesë të prokurorisë së Shkodrës.

Dy mjekët dhe infermierja janë të dyshuar për veprat penale “korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”. Mjeku Ervin Sulaj i cili ka qenë i pranishëm në sallë ka mohuar se ka lidhje me marrje ryshfeti duke thënë se ai dhe kolegu i tij janë marrë vetëm me operacionin e të plagosurit Elmidin Dyli.

Ndërkohë mjeku tjetër kirurg Serdi Memini nuk ka qenë i pranishëm në sallë për shkak se është i shtruar në spital në Tiranë dhe nuk është në gjendje shëndetësore të mirë ndërsa është përfaqësuar nga avokati i tij. Avokatët mbrojtës të dy mjekëve kërkuan që ndaj të dyshuarve të mos caktohet asnjë masë sigurimi dhe madje të cilësohet i paligjshëm arrestimi i tyre, por gjykata nuk e pranoi këtë kërkesë duke i lënë me masën e sigurisë “arrest me burg”.

Ka qenë bashkëshortja e shtetasit Fatbardh Dyli ajo e cila ka zhvilluar një bisedë telefonike me infermieren në Shkodër Diellë Macaj duke i thënë asaj se do t’i çojnë dhuratë 500 mijë lekë të vjetër doktorit, por pa përmendur emrin se cilit prej tyre. Infermierja e ka mbështetur në atë bisedë duke i thënë se “është mirë t’ia dërgosh dhuratën”.

Kaq ka mjaftuar që policia e cila kishte në përgjim familjen Dyli pas ngjarjes së rëndë në Velipojë me 27 qershor me katër të vrarë e dy të plagosur ku i plagosur është edhe djali i tyre 17 vjeçar Elmidin Dyli për të bërë arrestimin e dy mjekëve kirurg të spitalit “Nënë Tereza” në Tiranë, infermieres në Shkodër Diellë Macaj që është një e njohur e familjes Dyli si dhe babait Fatbardh Dyli i cili u lirua me masën “detyrim paraqitje” për shkak se nuk rezulton të ketë element të veprës penale.

Gjykata e shkallës së parë në Shkodër rrëzoi kërkesën e prokurorisë që kjo dosje t’i kalojë SPAK për hetim të mëtejshëm.