‘Prag emergjence’/ Presidenti Meta: Krim mjedisor, me pasoja të rënda për shëndetin

Presidenti Ilir Meta ka reaguar pas situatës së rëndë mjedisore të krijuar me plehrat në qytetin e Durrësit dhe përgjatë gjithë bregdetit të Adriatikut.

Kreu i shtetit e konsideron situatën mjedisore si të rëndë, të papranueshme e të dënueshme ligjërisht dhe në prag emergjence.

Postimi i plotë i Ilir Metës:

E papranueshme dhe e dënueshme ligjërisht situata e rëndë mjedisore, në prag emergjence, e shkaktuar nga mbeturinat në qendrat urbane dhe përgjatë bregdetit të Adriatikut, veçanërisht në kulmin e sezonit turistik.

Ky krim mjedisor, me pasoja të rënda për shëndetin e banorëve dhe të turistëve, për florën e faunën dhe që dëmton imazhin e Shqipërisë, meriton ndërgjegjësim dhe reagim të menjëhershëm efektiv të pushtetit vendor dhe të institucioneve përgjegjëse për mbrojtjen e mjedisit, si dhe ndëshkim nga drejtësia.