Nishani: Droga ndikim në zgjedhje, Rama institucionalizoi trafikun

Ish-presidenti i vendit Bujar Nishani, i ftuar në emisionin Çim Peka Live në Syri Tv, deklaroi se droga ka ndikim në zgjedhje.

Nishani thekson se droga gjithmonë ka ekzistuar dhe do ekzistojë si fenomen, por se në kohën e qeverisë së Ramës, u institucionalizua trafiku.

“Ka pasur trafik droge në kohën e qeverisjes së PD-së në Gjirokastër, në Malësi të Madhe, por nuk ka pasur në Fushë-Krujë, në Tiranë dhe ky është skandali. Në Lazarat kur PD ishte në pushtet kemi ndërhyrë, madje ka pasur përplasje me armë dhe ka pasur fatalitet nga ana e tyre që goditën policinë.

Në kohën e PD-së, droga transportohej me mushka, por jo me furgonë e me avionë, siç ndodh aktualisht. Planin policor në Lazarat nuk e ka bërë politika, por vetë policia. Droga, kur bëhet fenomen, ndikon në rezultatin e zgjedhjeve. Ka pasur probleme me drogën, por kur Rama erdhi në pushtet, shefat e policisë u bënë palë me trafikantët, gjithçka u institucionalizua”, deklaroi Nishani.