Surpriza e gjysmëfinaleve të ‘Euro 2020’/ 8 sekretet e skuadrës daneze

Danimarka, skuadra çudirave! Një lojë të bukur dhe me plot të papritura ka dhënë këtë Evropian  Danimarka. Një skuadër e bashkuar, pavarësisht asaj që ndodhi në ndeshjen hapëse kundër Finlandës.

Edhe pas arrestit kardiak të Kristian Eriksenit, skuadra duket mëse e bashkuar, duke synuar finalen e këtij Evropiani.

Me fitore të njëpasnjëshme dhe plot 10 gola në ndeshjet e tyre të fundit, skuadra daneze duket se sapo ka nisur ëndrrën në këtë Evropian.

Por cilat janë “sekretet”e fitoreve të danezëve?

1. SI RRESHTOHEN DANEZËT?

Ata favorizojnë një prapavijë me tre mbrojtës me kapitenin Simon Kjaer të përkrahur nga qendërmbrojtësit e Premier Ligës, Andreas Kristensen i Çelsit dhe Janik Vestergaard i Sauthempton.

Në një 3-4-3, ata kanë një digë mesfushorësh luftarakë të përbërë nga Tomas Dilenej dhe Pier-Emil Hojbjerg dhe nuk e kanë problem ta luajnë topin e gjatë për sulmuesin Kasper Dolberg, i cili ka vrapues të aftë në të dy anët e tij siç janë Martin Brethuait dhe Mikel Damsgard.

2. LIDHJET ME ANGLINË

Hojbjerg luan së bashku me Herri Kejn për Totenhemin, teksa portieri Kasper Shmaikëll sapo ka ndihmuar Lesterin të fitojë Kupën FA. Kristensen ka fituar Ligën e Kampionëve me Çelsin ndërsa Brethueit dikur luante me Midëllsbroun (2 sezone).

Vestergard (Sauthempton) dhe Joakim Andersen (i huazuar te Fulhemi nga Lioni) kanë luajtur në Angli gjatë sezonit të kaluar. Jonas Losl dhe Mathias Jorgensen e kanë bërë këtë më parë me Hadërsfilldin.

3. EFEKTI ERIKSEN

Fotoja e lojtarëve të Danimarkës që formojnë një rreth rrotull Eriksenit për t’i dhënë atij një farë dinjiteti, ndërsa po merrte ndihmën e parë në fushë në Kopenhagen do të mbahet mend përgjithmonë. Kalvari i tij ka frymëzuar ecurinë e tyre në këtë Europian.

4. KUJDES NGA …

Dolberg është një pykë e fortë dhe i talentuar teknikisht në ngjashmëri me Kejnin. Ish-sulmuesi i Ajaksit tashmë ka shënuar tri herë në “Euro”. Anësori Damsgard mbushi 21 vjeç në fitoren e së shtunës kundër Ukrainës dhe ka magji. Ai është më i rëndësishmi për vendin e tij në mungesë të Eriksenit.

5. LOJTARË KYÇË

Danimarka fitoi Kampionatin Europian në vitin 1992 me Peter Shmajkëll në portë, teksa djali i tij Kasper siguron një pengesë tjetër të frikshme tri dekada më pas.

Mbrojtësi Kjaer, siç tregoi gjatë incidentit të Eriksenit se është një udhëheqës frymëzues dhe çifti i mesfushës së Delenei-Hojbjerg janë dy mesfushorë cilësorë. Në mungesë të Eriksenit, anësori emocionues i Sampdorias, Damsgaard është i aftë të spërkasë magji në lojën e danezëve.

6. SUPERSTICION

Menaxheri Hjulmand veshi bluzën e tij me zinxhir për fazat e fundit të fitores kundër Çekëve pavarësisht nxehtësisë së madhe në Baku. Më pas ai tha me një buzëqeshje: “Kjo bluzë do të jetë me mua në ‘Wembley'”.

7. FORMA

Danimarka hyri në “Euro 2020” në formë të jashtëzakonshme, duke humbur vetëm dy herë në 28 ndeshje. Ata më pas humbën dy ndeshjet e tyre të para në grup – 1-0 ndaj Finlandës në një ndeshjen e shoqëruar nga tronditja e incidentit të Eriksenit dhe 2- 1 ndaj Belgjikës, pavarësisht një paraqitjeje inkurajuese.

8. REZULTATET E KALUARA

Për herë, në aspektin e futbollit, historia është në anën e Anglisë. Këto dy kombe janë përballur me njëra-tjetrën 22 herë, me Anglinë që ka dalë fituese në 13 prej tyre.

Danimarka ka dalë faqebardhë vetëm katër herë, ndërsa pesë ndeshjet e tjera kanë përfunduar në barazim. Danimarka megjithatë do të marrë besim nga fakti që ata mundën Anglinë në “Wembley” herën e fundit që luajtën me njëra-tjetrën, pavarësisht se në fushë ishte ende Erikseni që shënoi golin vendimtar nga pika e bardhë e penalltisë.