Armando Broja kthehet te Chelsea, i duhet të bindë trajnerin Tuchel për të qëndruar

Armando Broja do të rikthehet sot në qendrën stërvitore të Chelseat.

Këtë herë, në dhomat e zhveshjes, sulmuesi i Kombëtares gjen kampionët e Europës, që triumfuan në finalen e Championsit përballë Manchester Cityt.

Pas një sezoni debutues pozitiv te Vitese në formën e huazimit, sulmuesi kuqezi është thirrur nga trajneri Tuchel, i cili ka kërkuar që të testojë Brojën dhe të tjerë talentë në pronësi të skuadrës londineze.

Mirëpo, për Brojën nuk do të jetë aspak e thjeshtë që të fitojë besimin e trajnerit Tuchel. Kjo, për vetë hapësirat e pakta në skuadër.

Sulmuesi kuqezi duhet të tregojë formë, forcë dhe cilësi të jashtëzakonshme, që të bindë trajnerin të rezervojë një vend në skuadrën e parë. Përndryshe, e ardhmja e Brojës në lidhje me Chelsean do të jetë e varur nga e ardhmja e dyshes Abraham-Giroud.

Për këtë të fundit, lajmet e merkatos bëjnë me dije interesim nga Milani, ndaj mbetet për t’u parë.

Largimi i qendërsulmuesit francez do të lironte një vend të rëndësishëm në ekip, që mund të shndërrohej në “asist” për 19- vjeçarin.

Chelsea do të vlerësojë edhe kontratën e sulmuesit kuqezi, për të parë më tej një mundësi huazimi në rast se Tuchel nuk do të arrijë që të rezervojë një vend te blutë e Londrës.