Hungaria i ngre bust Skënderbeut, Meta: Mbështetëse e integrimit evropian të Shqipërisë

Presidenti Ilir Meta ndodhet sot në Hungari, i ftuar nderi në ceremoninë e vendosjes së bustit të Gjergj Kastriotit në një nga sheshet e kryeqytetit Budapest.

“Me shumë kënaqësi dhe emocion të veçantë, mora pjesë sot, me ftesë të Presidentit Ader, në ceremoninë e vendosjes së përmendores së Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, në Budapest, - shkroi Meta në Fb. -

Rrënjët e miqësisë midis dy popujve tanë gjenden në lidhjet legjendare dhe aleancën strategjike të Heroit tonë Kombëtar me Prijësin ushtarak dhe drejtuesin e spikatur të Hungarisë dhe të mbarë Europës Qendrore, Janosh Huniadi, të dy mburoja të vlerave dhe të traditave të qytetërimit, por edhe të identitetit tonë europian.

Ashtu si në kohën e aleancës së Kastriotit dhe të Huniadit, Hungaria mbetet një mbështetëse e palëkundur e integrimit europian të Shqipërisë dhe ne i jemi thellësisht mirënjohës. Jam i bindur se fryma e miqësisë dhe e bashkëpunimit të shkëlqyer tradicional historik midis dy vendeve dhe popujve tanë do të forcohet pa u ndalur në të ardhmen.”