Nga 'Kokëlopa' te 'Lani', roli i policëve dhe prokurorit në trafikun e drogës

Gjykata Kundër Krimit dhe Korrupsionit të Organizuar (GJKKO) ka lënë të pandryshuar masën e sigurisë për 18 persona nga 28 të arrestuarit në kuadër të operacionit “Shpirti”.

Për 14 prej tyre, GJKKO ka lënë në fuqi masën “arrest me burg”. Ndërkohë prokurori Maksim Sota, drejtori i Policisë së Vlorës, Ilirjan Balla dhe dy të arrestuarit e tjerë Abdyl Krasniqi dhe Luan Krasniqi, janë lënë në arrest shtëpie.

Ndërkohë, bashkëpunëtorët e drejtësisë kanë dhënë detaje në lidhje me rolin e zyrtarëve të policisë të dyshuar si të përfshirë në grupin kriminal që merrej me trafikun e drogës.

Në dosjen hetimore, thuhet se bashkëpuntorët e policisë që ndihmuan në hetimin dhe në zbulimin e këtij grupi kriminal, ku ishin të përfshirë zyrtarë të lartë policorë, mes të cilëve prokurori i Vlorës Maksim Sota, ish-polici Festim Felaj, etj janë Mariglen Shusha, Donial Drolli, Elton Hamza, Fërhat Ajdini dhe Fiqiri Seferi.

Sipas Drollit dhe Shushës, i cili thirrej edhe “Lani”, grupi kishte garanci dhe lidhje të forta në Policinë e Vlorës për të kryer aktivitetin e tij kriminal të trafikut të drogës nga Shqipëria në drejtim të Italisë.

Dy nga pikat më të forta të mbështetjes në Policinë e Shtetit, ishin ish-zëvendësdrejtori i Policisë së Vlorës, Ilirjan Balla, dhe ish-nënkomisari i Policisë së Fierit, Festim Lelaj, i njohur si “Festim kokë-lopa”, plus dhe prokurori Maksim Sota i cili i mbyllte çështjet me drejtësinë.

Në dosjen e SPAK-ut, sipas të penduarve të drejtësisë, thuhet se ish-zëvendësdrejtori i Policisë së Vlorës, Ilirjan Balla jepte garanci për pjesën tokësore të trafikut, përfshirë kultivimin, magazinimin dhe transportin deri në momentet që do të hidheshin në skaf.

Sipas tyre, ish-zëvendësdrejtori i Policisë së Vlorës, ka qëndruar në shtëpinë me qira, që paguhej nga Duçellari, bashkë me Sotën dhe të penduarin Shusha. Aktiviteti i grupit kriminal, sipas të penduarve pësoi goditje në momentin që Balla u transferua drejt Dibrës dhe iku nga qyteti i Vlorës.

Aktiv në grupin e strukturuar kriminal, ishte dhe ish-nënkomisari i Policisë së Fierit, Festim Lelaj, i cili sipas të penduarve të drejtësisë, merrte 15 mijë euro për të garantuar pjesën detare të trafikut.

“Në kohën që ka ndodhur vepra penale, se bëhet fjalë për trafik droge të ndodhur në 2014-2017, Festim Lelaj ndodhej në Drejtorinë e Kufirit. Sipas të penduarve, ai merrte 15 mijë euro për të garantuar pjesën detare të trafikut dhe në përgjime atë e cilësojnë si “Festim kokë-lopa”.

Sipas tyre, ai ishte një person që merrte para hapur nga trafikantët. Festim Lelaj ka një tjetër dënim mbi supe për përfshirjen në trafikun e 2.5 tonë droge drejt Italisë. Kjo është akuza e dytë zyrtare. Sipas të penduarve, ai merrte shuma të konsiderueshme parash, sipas të penduarve.

“Këta të fundit nxjerrin edhe emra të tjerë zyrtarësh të implikuar dhe flasin për të dhëna alarmante, se si zyrtarë të ndryshëm ishin të përfshirë në çështjet e trafikut të drogës, duke pranuar para nga trafikantët, që t’i linin ata të qetë për të trafikuar sasi të mëdha droge”, thuhet në dosjen e SPAK.

Donjol Drolli, i cili mban statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë, thotë se kreu i grupit kriminal, Ilirjan Duçellari, ku ai bënte pjesë, i kishte siguruar shtëpi me qira prokurorit Maksim Sota jashtë Shqipërisë, ku ai qëndronte me bashkëshorten dhe fëmijët.

Drolli thotë se në të njëjtën shtëpi ka qëndruar edhe Mariglen Shusha një tjetër bashkëpunëtor i drejtësisë. Në banesën e paguar nga Duçellari, përveç prokurorit Sota, më parë kishte qëndruar edhe zv.Drejtori i Policisë së Vlorës, Ilirjan Balla.

Nga ana tjetër, prokurori Maksim Sota, i cili ndodhet mes 38-të arrestuarve në operacionin antidrogë të koduar “Shpirti”, ka mohuar para gjykatës përfshirjen e tij në këtë rast.

Duke folur në seancën e të dielës, ai ka kërkuar hetim të plotë, duke deklaruar se në dosje përmenden dhe emra të kolegëve të tij, të cilët kanë kaluar Vettingun dhe janë në poste drejtuese.

Sa i takon provës që ka çuar pas prangave prokurorin, deklarata e të penduarit, sipas të cilit ai rrinte me qira në banesën e të akuzuarit për trafik në dosje, prokurori ka dorëzuar në gjykatë një certifikatë pronësie të vëllait të tij në Vlorë, ku pretendon se ka qëndruar dhe se nuk ka marrë shtëpi me qira./MAPO