Dosja/ Truprojat e Tahirit, trafikantëve: Punoni të qetë se jemi ne

Operacioni i iniciuar nga antimafia italiane ka konfirmuar dhe një herë implikimin vertikal të kupolës së policisë së shtetit në trafikun e drogës që arriti kulmin gjatë viteve 2016-2017. Drejtorë policie, bashkiakë, prokurorë dhe deri te truprojat e ish-ministrit ishin angazhuar fort në këtë biznes të paligjshëm, duke shndërruar të gjithë vendin në një plantacion të stërmadh kanabisi. Dëshmitë e të penduarve të drejtësisë flasin se si të besuarit e ish-ministrit Tahiri, i konsideruar nga Rama si kampioni i luftës ndaj krimit, ktheheshin deri në hamej të sasive të drogës që ngarkoheshin në skafet drejt Italisë. Sot në mandatin e tretë askush nuk mban përgjegjësi për atë çka ndodhi në mandatin e parë.

Duket sikur i gjithë shteti ishte vënë në shërbim të trafikut të drogës. Hetimet e antimafies italiane së fundmi zbuluan drejtorë të policisë së shtetit, truproja ministrash, drejtorë bashkish, prokurorë etj., të vënë në shërbim të narkotrafikantëve që mbroheshin nga çdo qelizë e shtetit. Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, do cilësohej në atë kohë si “kampioni i luftës ndaj krimit”, por koha po fakton të kundërtën. Në një shkrim të gazetës “SI” që MAPO po e publikon sot i cili flet për dëshmitë e të penduarve që janë arrestuar në shtetin fqinj Itali, se si dy truprojat e ministrit, s’e kishin për gjë të bënin dhe hamallin për të ngarkuar sasitë e drogës që eksportoheshin drejt brigjeve italiane.

Një implikim i tillë aq vertikal, vështirë të ndodhë pa dijeninë e shefave. Nga Velipoja në Sarandë brigjet shqiptare u kthyen në eksportues të drogës, ndërsa çdo pllajë në prodhues të saj. Ende sot nuk ka një përgjegjës për këtë situatë. Edhe dje në vendimet që u dhanë nga gjykata e posaçme, policët dhe prokurori u lanë në arrest shtëpie, megjithëse një prej tyre Ilirjan Balla, ish-zëvendësdrejtor në policinë e Vlorës akuzohet si organizator. Të lirë janë dhe Agustin Deda dhe Hekuran Marku, megjithëse SPAK deklaroi dy ditë më parë se janë ekzekutuar urdhër-arrestet.

Ky pretendim ra poshtë gjatë një lidhjeje telefonike të gazetares Klodiana Lala me Agustin Dedën që fliste nga Italia. Pjesë e dosjes janë dhe Festim Lalaj i arrestuar më parë për trafik droge, ish-drejtor i antitrafikut në policinë e Fierit, apo dhe Saimir Kurti ish-drejtori i punësimit në Bashkinë e Kavajës. Për më shumë ndiqni të plotë shkrimin e gazetës “Si” dhe dëshmitë e të pandehurve për të kuptuar se si funksiononte trafiku i drogës që udhëhiqej nga vetë krerët e policisë së shtetit.

“Gjatë ngarkimit të gomones me hashash, Gusti (Agustin Deda) dhe Hekurani (Marku) kishin pistoleta dhe radio, ata janë policë por nuk ishin me veshje policie”, rrëfen mes të tjerash Ferhat Ajdini, për truprojat që i ishin prezantuar si truprojat e ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, i cili më herët kishte kërkuar ndihmë në Itali dhe një shqiptar i pati thënë: “mund të bësh një rrugë droge”.

Në dosjen që zbardh gazeta “Si” tregohen nga dëshmitarët jo vetëm emrat e bashkëpunëtorëve, por edhe mënyra për udhëtimin, fshehjen e mjetit lundrues dhe pagesat e punëtorëve të krahut. Madje dëshmitarët pohojnë se si u njohën me italianët me emrin Silvio dhe Mimo dhe se mes datave 8 dhe 10 dhjetor i pajisën me një GPS dhe se si u nisën në Shqipëri nga një port i vogël i San Giorgos.

Gjithçka nisi për një larje borxhi por që në atdheun e tyre ata mësuan se ndërkohë policia ndihmonte trafikantët në ngarkim dhe shkarkim droge.

“Pasi mbërritëm në Shqipëri, lamë gomonen afër Shkumbinit. Në Shqipëri u takuam me një mik të Malton Lleshit që quhet Pingio dhe me një tjetër të quajtur Gusti e tjetri me emrin Hekuran, që erdhën të flisnin për punën e bombës e të lekëve që donte Malton Lleshi. Hekurani dhe Gusti thanë që ishin truprojat e ministrit të Brendshëm shqiptar me emrin Saimir Tahiri. Të tre thanë që kishin drogë për të dërguar në Itali dhe që për transportin e të cilës ne do të paguanim borxhin që kishim me Lleshin”.

Ky akord sipas dëshmitarit të drejtësisë e bindën atë dhe Seferin që të nisej drejt Shqipërisë në datën 19 dhjetor. Ai përshkruan se si personat mes tyre truprojat dhe të tjerë ishin të policisë.

“Pingio, Gusti dhe Hekurani dhe tre katër djem erdhën nga Tirana ku kishim lënë gomonen. Erdhën me furgonat e ngarkuar me drogë. Ishin tre me targat e Tiranës. Ata na ngarkuan gomonen me marijuanë. Gjatë ngarkimit të gomones, Gusti dhe Hekurani kishin radiot e pistoleta, ata janë policë, por nuk ishin me veshje policie”, – thuhet nga dëshmitari në dosjen hetimore që më së fundi dërgoi në pranga 28 persona.

Ajo që tregon i pandehuri hedh dritë mbi krimin policor dhe përdorimin e mjeteve policore deri te fikja e radarëve.

“Unë kam parë dhe radiot dhe pistoletat e sintonizuara në kanalin e policisë shqiptare. Me radio folën me kolegët e tyre policë duke i thënë që po shkonte çdo gjë mirë. Rreth orës dy apo tre të natës, jemi nisur nga Shqipëria dhe mbasi mbërritëm në Itali në datën 21 dhjetor u bllokuam nga Guardia Costiero, provova të merrja Shpëtim Shehin kur po arrija afër bregut por ai nuk u përgjigj”, – thotë në dëshminë tronditëse i penduari.

Ai kujton se barezët dhe porositësi emri i të cilit përmendet si Shpëtim Shehi do t’u paguanin drogën shqiptarëve me rreth 80 euro për kilogramë, por vetëm pasi ta shisnin. I zhgënjyer, i penduari kujton se plani ishte që ata të dy me skafin me drogë dhe GPS që iu ishte vendosur nga trafikantët duhet të arrinin në afërsi të hotel Bajronit.

Dosja e Prokurorisë thekson se personi me emrin Pingio rezulton të jetë Eltjon Bregasi, i cili rezultoi se ishte gjithashtu furnizuesi i sasisë së madhe të drogës. Ky person ka dërguar një sms te bashkëpunëtorët e tij shumë ditë përpara se ata të ktheheshin në Shqipëri me përmbajtje:

– Përshëndetje dajë, si po ja kalon? Jam PINX, doja me fol nëse mundesh.

Mbas këtij çasti dy dëshmitarët që u përdorën për transport droge flasin me të dhe bien dakord që do takoheshin.

Më pas i penduari rezulton se komunikoi me të birin duke folur me gjuhë të koduar dhe duke e njoftuar se do shkonte në Tiranë të takonte “nonën”, që ishte Pingio:

– “Kam rënë dakord, tani do shkoj tek Skerdi për të takuar nonën Pingion, duhet me shku me e taku se ai nuk ka celular” – thotë në mesazh Fiqiret Seferi.

Ku u gjet droga?

Kësaj radhe ngarkesa sigurohet në zonën e Tepelenës dhe këtë e dëshmon i penduari për italianët që flet për truprojat e ish-ministrit të Brendshëm dhe komisarët e drogës.

“Bashkë me Pingion, e Hekuranin shkuam në Memaliaj ku kishin kultivuar drogën në një plantacion në hapësirë që ishte e shpërndarë në dy-tre zona në mes të pyllit. Jam në gjendje ta gjej atë vend, ne i kemi parë bimët nga larg duke na i treguar ata, nga dy-tre kilometra larg. Kemi hyrë në një magazinë ku ishin 20 apo 30 punëtorë që po pastronin gjethet e marijuanës që ndodheshin në thasë të mëdhenj. Nuk ishte Agustini në këtë rast, Pingio ishte specialist i kultivimit dhe i rritjes siç na tha ai. Plantacioni ishte i Hekuranit e Pingio komandonte punëtorët që merrnin 10 deri në 15 euro dita”.

Transportuesi tregon se si vijuan udhëtimin e kthimit dhe se si u larguan nga Memaliaj së bashku me drogën, por rrugës kanë parë policinë lokale ndaj dhe janë detyruar të telefonojnë truprojat. “Pingio ka marrë në telefon Agustinin dhe Hekuranin duke i thënë që kishim parë policinë lokale, ndërkohë që ishim me dy sasi të lëndës marijuanë”.

Ngarkesa u shkarkua te varreza dhe aty ata kanë vendosur të presin meqenëse truprojat i njoftuan se ishin në shërbim me ministrin.

“Pingio më tha se duhet të prisnim Agustinin dhe Hekuranin deri kur të mbaronin shërbimin se ishin bashkë me ministrin e do ta shoqëronin te shtëpia. Kur e pamë policinë nuk ndaluam. Ndërkohë që prisnim të vinte Agustini dhe Hekurani, ata kanë marrë Pingion dhe i kanë thënë të rrinte i qetë sepse nuk kishte asnjë sinjalizim për transportin tonë”.

Sipas të penduarit pritja ka zgjatur deri në mesnatë. Derisa aty kanë mbërritur truprojat.

“Agustini dhe Hekurani kanë mbërritur tek ne, kanë ngarkuar drogën e kemi shkuar në Vilboshtovë afër lumit Shkumbin. Në ngarkim ishim pesë, unë, Ajdini e tre persona të tjerë. Të tjerët udhëtonin me mercedezin e Vitos e një makinë e përdorur për vdekjet. Dy bodigardët nuk ishin të pranishëm në ngarkim dhe në nisje” – përmend dëshmitari tjetër.