Shqiptarët gjobëvënës rrahin brutalisht të riun grek, e qëllojnë dhe me armë zjarri

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Kalkidhiki të Greqisë ku një 20-vjeçar është rrahur brutalisht dhe më pas është plagosur me armë zjarri. Sipas mediave greke, protagonistë të kësaj ngjarjeje janë dy shqiptarë.

Sherri ka nisur pas mesnate në të gdhirë të së dielës, ku shtatë persona kanë zbritur nga makinat dhe kanë sulmuar 20-vjeçarin i cili ishte i ulur në një kafene në Pefkochori.

I riu 20-vjeçar u përpoq të arratisej brenda dyqanit, por tre nga autorët e ndoqën, e arritën dhe e goditën me grushte e sende të forta, ndërsa njëri prej tyre e qëlloi me pistoletë, duke i shkaktuar një plagë depërtuese në kofshën e djathtë.

Grupi i autorëve të krimit më pas u largua me shpejtësi, ndërsa i plagosuri u dërgua në spital. Mësohet se 20-vjeçari është bashkëpronar i kafenesë ku po qëndronte.

Dy nga tre autorët e plagosjes dhe rrahjes së 20-vjeçarit u identifikuan pak më vonë. Ata janë një 21 vjeçar dhe një 29 vjeçar me origjinë shqiptare, të cilët thuhet se i përkasin një grupi kriminal gjobëvënësish dhe që japin para me fajde në Selanik.

Mësohet se 21-vjeçari u lirua nga burgu tetorin e kaluar, ndërsa ai po gjykohet në shkallën e 2-të për tentativë vrasje, mbajtje pa leje dhe përdorim të armëve të zjarrit.

Sipas burimeve të policisë, motivi i sulmit të sotëm janë mosmarrëveshjet financiare në lidhje me “mbrojtjen”, të cilat kërkohen nga anëtarët e grupit të zhvatësve në zonën e Kalkidhikisë, tani që dyqanet kanë filluar funksionimin normal, pas pandemisë.

Policia greke po heton përtë gjetur dhe më pas arrestuar autorët.