VIDEO/ Mafia e plehrave sulmon Peqinin, mbetjet digjen nga persona të paidentifikuar

Mafia e plehrave duket se ka filluar sulmin dhe në Peqin, e vetmja bashki në qarkun e Elbasanit që nuk ka lidhur kontratë me koncesionarin. Prej disa ditësh, plehrat e grumbulluara digjen nga persona të paidentifikuar, ndërkohë që ende nuk ka një autor dhe një motiv për ndotjen që po i shkaktohet këtij qyteti.

Mbetjet urbane janë rikthyer prej disa ditësh shqetësim për qytetarët e Peqinit, pasi persona të paautorizuar kanë djegur grumbujt e plehrave, duke mbytur zonën me tym dhe erë të keqe. Ky akt vandal, i cili ende nuk ka një autor të identifikuar vjen vetëm pak ditë pas ngritjes së të njëjtin shqetësim në qytetin e Durrësit, ku ngrihen dyshime se gjithçka lidhet me aktivitetin e mafies së plehrave.

Peqini është e vetmja bashki nga 7 të qarkut Elbasan, e cila nuk ka një kontratë për dërgimin e mbetjeve në inceneratorin e Elbasanit. Për këtë arsye, ajo i grumbullon mbetjet në një fushë pranë varrezave të qytetit, por së fundmi persona të paidentifikuar i kanë vënë flakën, ku ende vatra zjarrit është aktive. Zjarrfikësja shkon çdo ditë pranë këtij vendgrumbullimi për të shuar zjarrin, por ai rindizet sërish. Kjo ka shqetësuar banorët e zonës përreth, por edhe të qytetit, i cili gdhihet çdo ditë me tymin dhe erën e keqe nga landfilli, ku ata jashtë kameras shprehen se kjo do të jetë lojë e pushtetit, por që druhen për të folur publikisht.

Ndërkohë, që në muajin dhjetor të vitit të kaluar bashkitë e qarkut Elbasan kanë lidhur kontratë me inceneratorin që ndodhet në këtë qytet për grumbullimin dhe depozitimin e mbetjeve pranë këtij biznesi. Bashkia Peqin deri tani nuk kishte pranuar një fakt të tillë për shkak të kostos së lartë, por duket se me inskenimin e kësaj situate dhe kjo bashki do i bashkohet turmës për depozitimin e mbetjeve pranë inceneratorit të Elbasanit, e cila zotërohet nga bashkëshortja e Klodian Mërtirit, një personazh që qëndron në hijen e koncesioneve të inceneratorëve në Shqipëri dhe me tentakula të shtrira deri në Afrikë.