Sekuestrohen 6 tonë kokainë në Kolumbi, operacion i ushtrisë në xhungël kundër fraksioneve rebele

Autoritetet kolumbiane sekuestruan në ditët e fundit 6 tonelata kokainë në pronësi të fraksionit të majtë Ushtria Çlirimtare Kombëtare, në një xhungël në juglindje të vendit.

Lajmin e konfirmoi ministri kolumbian i Mbrojtjes, Diego Molano, i cili tha se me këtë sekuestrim janë goditur rëndë financat e grupit.

Kokaina u sekuestrua në një operacion në komunën rurale Samaniego, në provincën Narino, pranë bregut të Paqësorit.

Furnizimi me lëndë narkotike bën që fraksioni kriminal, i njohur me akronimin ELN, të sigurojë përfitime që arrijnë 8 milionë dollarë në muaj.

Pavarësisht dekadave të kaluara duke luftuar trafikun e drogës, Kolumbia mbetet prodhuesi kryesor i kokainës në botë dhe përballet me presion të vazhdueshëm nga Shtetet e Bashkuara për të reduktuar plantacionet dhe prodhimin e drogës, që ka financuar për një kohë të gjatë konfliktet e brendshme të armatosura në vend.

Zona që zënë korrjet e kokës në Kolumbi, ingredienti kryesor i kokainës, arrinte në 245 mijë hektarë në fund të vitit 2020 dhe kapacitetet e prodhimit të kokainës u rritën në 1 mijë e 10 tonelata në vit, konstatoi Zyra e OKB për Krimin dhe Drogën.