U zgjodh në krye të PDK, reagon për herë të parë Memli Krasniqi

Kryetari i ri i Memli Krasniqi ka reaguar pas zgjedhjes së tij në krye të PDK-së, duke u shprehur mirënjohje të pafund të gjithë delegatëve të Konventës së Dhjetë për besimin, votën dhe mbështetjen që ma dhanë sot.

Në deklaratën e tij në Facebook, Krasniqi është zotuar se ‘do të bëj gjithçka që duhet - që PDK të rikthehet aty ku i  takon, si partia më e fuqishme dhe me vizionin më të qartë për vendin. Si adresa politike kryesore për qytetarët tanë’.

Postimi i plotë i Memli Kransiqit:

Ju shpreh mirënjohje të pafund të gjithë delegatëve të Konventës së Dhjetë të Partisë Demokratike të Kosovës për besimin, votën dhe mbështetjen që ma dhanë sot, për të udhëhequr partinë tonë në dy vjetët e ardhshme.

Familja jonë e përbashkët politike po nisë një kapitull të ri siç i ka hije, duke respektuar pafundësisht të kaluarën, të tashmen dhe kontributin e secilit. Por, gjithmonë duke shikuar kah e ardhmja.

PDK është parti e njerëzve të mirë të Kosovës - e çlirimtarëve e patriotëve, intelektualëve e vizionarëve, mësuesve e profesorëve, mjekëve e infermierëve, artistëve e sportistëve, ndermarrësve e mërgimtarëve, fermerëve e punëtorëve, grave e burrave që synojnë një jetë të dinjitetshme dhe një shtet që i bën krenarë.

Do të bëj gjithçka që duhet - që PDK të rikthehet aty ku i  takon, si partia më e fuqishme dhe me vizionin më të qartë për vendin. Si adresa politike kryesore për qytetarët tanë.

Dhe për të arritur këtë qëllim, e konsideroj fundamental unitetin tonë të rikonfirmuar sot për rrugën para nesh, për nevojën e çlirimit dhe mobilizimit të potencialit tonë të brendshëm dhe bashkëdyzimit të tij me vlerat dhe energjitë e reja që do bashkohen me ne në këtë projekt të ri politik për PDK-në.