'Të më kishe thënë më parë, vëllanë do ta kishte jashtë': Përgjimet për korrupsion që fundosën prokurorin Kariqi

Dalin në dritë ecejaket që janë bërë nga një grup personash për të korrptuar kryeprokurorin e Kukësin Edmond Kariqi, i cili sot gjendet pas hekurave për këtë arsye bashkë me shoferin e tij. Manovrat e bëra në grup për të lehtësuar dënimin e një të arrestuarit nisën nëntorin e vitit 2019.

Në 21 nëntor të 2019 u kapën në Kukës 5 persona me 4.5 gramë hashash. Pas arrestimit, Emirjan Beu foli në telefon me Isuf Gegën edhe e pyeti nëse e njihte prokurorin Edmond Karriqi, pasi ishte arrestuar vëllai i Dritan Dedjes.

“Kam njohje shoqërore me të”, i thotë Isuf Gega, pasi ai ka qenë drejtues i Prokurorisë së Kavajës.

Pak minuta më vonë Isuf Gega merr në telefon Emirjanin dhe i thotë “fola me prokurorin dhe e mora vesh që personi i arrestuar, Ramadan Dedja, është lënë me afat 15 ditë në burg. I ka thënë që është vëllai i shokut tim dhe që mund të shkojmë bashkë ta takojmë.

Në 24 nëntor Isuf Gega, takohet me Emirjan Beun dhe Dritan Dedjen në Kavajë.

Në 25 nëntor, vëllai i të arrestuarit shkon në Kukës dhe pas telefonatave që Isufi ka bërë me prokurorin e takon këtë të fundit në zyrë.

Po atë ditë, makina e sekuestruar gjatë arrestimit për hashash i kthehet, Dedja kontakton me Isufin dhe i thotë që e takova dhe mora makinën.

E njëjta bisedë është bërë edhe me babanë, ku ndër të tjera i thotë se, prokurori i ka thënë që nëse do më kishe thënë më parë, vëllanë do ta kishe jashtë, por mos e vrit mendjen se do dalë i pafajshëm.

Në 27 nëntor këta persona shkojnë sërish në Kavajë, ku takojnë sërish Isuf Gegën, në të njëjtën ditë, ky i fundit takon prokurorin.

Nga ana tjetër, Edmond Karriqi kontakton me OPGJ dhe i kërkon që akt ekspertimi toksikologjik për të arrestuarin të dalë sa më shpejt.

Pas kësaj telefonate  Dritani, vëllai i të arrestuarit kontakton sërish babanë dhe i thotë akt ekspertimi do dalë sa më parë. Babai i thotë se lekët janë gati dhe lekët i kemi ne.

Në 2 dhjetor bëhet takimi i radhës pasi ka dalë akt ekspertimi. Ky takim bëhet mes Dritanit dhe Isufit. Dritani flet me Emirjan Beun dhe i thotë: jam duke shkuar te Cufja, t’i jap ato që më tha. Para se të shkoj të takojë Cufen, Dritan Dedja takoi babanë e të arrestarit tjetër dhe aty këmbëjnë lekët.

Pamjet filmike tregojnë që Dritani ka nxjerr në” Exchange”, 22 kartëmonedha 100- dollarëshe dhe 3 kartëmonedha 5- mijë lekëshe, që shkojnë në vlerën e 2 mijë e 2 dollarë.

Pas kësaj, Dritan Dedja shkon në Kavajë e takon Isuf Gegën. Ky i fundit ngrihet nga lokali që është me Dritanin dhe shkon te lokal Whiski ku është prokurori.

Pas 10 minutash edhe Dritan Dedja shkon të bar Whiski, ku ka ndenjur me prokurorin për 20 minuta.

Pas takimit Dritan Dedja, flet me babanë dhe i thotë: “Mos e rr*, nesër shkojnë ato dhe e ke Bobin tek shtëpia.

 Babai e pyet: “E sigurt?!”

Dritani: “Po, nesër, e sigurt, për çfarë i kërkuan ata?!”

Babai: “Hajd’ mirë, ia çove krejt ti?”

Dritani: “Krejt, krejt”.

Babai: “Hajd’, bukur, ciao!”

Në 6 dhjetor aktekspertimi që i arrestuari ishte përdorues, shkon dorazi në gjykatë.

Në 10 dhjetor masa e sigurisë për të ndaluarin ndryshon.