Sakrifica e De Bruyne, luajti me ligament të dëmtuar ndaj Italisë

2021-shi nuk po shkon në mënyrën më të mirë për Kevin De Bruyne. Mes dëmtimeve serioze dhe dështimit për të fituar Championsin me Manchester City-t (humbi finalen me Chelsea-n) erdhi edhe eliminimi në çerekfinale të Europianit, përballë Italisë. Në përfundim të sfidës me të kaltrit, mesfushori belg foli për vështirësitë e hasura gjatë Europianit.

“Ishte një turne i vështirë për ne, patëm kaq shumë lëndime. Luftuam deri në fund, por me këto dëmtime nuk ishte e lehtë.”

De Bruyne, gjithsesi, e pranon se “Djajtë e Kuq” u mposhtën nga një ekip shumë i fortë, i rritur shumë vitet e fundit falë punës së Mancinit.

“Italia ishte më e mirë se ne në pjesën e parë, por në pjesën e dytë krijuam më shumë raste. Mund të kishim shënuar golin e dytë, por nuk ia dolëm. Sot kemi humbur kundër një ekipi të klasit të lartë.”

Sakrifica, duke luajtur me ligament të dëmtuar, nuk iu shpërblye me kualifikim dhe kjo është keqardhja e madhe për mesfushorin e City-t.

“Falënderoj stafin mjekësor për punën gjatë katër ditëve të fundit. Kam luajtur me ligament të dëmtuar, nuk ishte e lehtë.”

Me pak fjalë, nuk është një sezon i lehtë për belgun, i cili, pas këtij zhgënjimi, do të përpiqet të kthehet edhe më i fortë,  për t’u dhuruar kënaqësi të pasionuarve të futbollit me klasin e tij, siç ka bërë gjithmonë.