Ryshfeti: Arrestohen dy mjekë të Spitalit të Traumës në Tiranë, morën 3,7 mln lekë për operacionin

Dy mjekë në Spitalin e Traumës në Tiranë, njeri kirurg ortoped S.M, 34 vjeç dhe tjetri mjeku anestezist reanimator E.S, 45 vjeç janë arrestuar nga Policia në kuadrin e një operacioni të koduar si “Bisturia”.

Në pranga ka rënë dhe një person nga Shkodra, që iu ka dhënë paratë dy mjekëve, për të kryer operacionin e djalit. Policia sekuestroi edhe paratë që ata kishin marrë për operacionin, 377.000 lekë të reja dhe 55 euro.

Në njoftimin e Policisë thuhet:

Strukturat Hetimore të DVP Shkodër dhe të Komisariatit të Policisë Shkodër, me mbështetjen e forcës së Posaçme "Shqiponjat" të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar "Bisturia".

Në kuadër të operacionit u bë ndalimi për veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, i shtetasve: S. M., 34 vjeç, me profesion mjek kirurg ortoped pranë Spitalit Universitar të Traumës Tiranë dhe E. S., 45 vjeç, me profesion mjek anestezist reanimator pranë Spitalit Universitar të Traumës Tiranë.

Gjithashtu u bë ndalimi për veprën penale “Korrupsion aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, i shtetasit F. D, 40 vjeç, banues në Shkodër.

Ndalimi i tyre u bë për arsye se në ambientet e një qendre spitalore në Tiranë, pas një operacioni mjekësor që kirurgu S. M. dhe anestezisti E. S. i kanë bërë shtetasit E. D., i plagosur mbrëmjen e datës 27 qershor, në Velipojë, i ati i pacientit, shtetasi F. D. dyshohet se iu ka dhënë të dy mjekëve një sasi parash për kryerjen e operacionit.

Pas kontrolleve të ushtruara, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale shumën 377.000 lekë të rinj dhe 55 euro.

Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykates së Shkallës së Parë Shkodër.