Skënder Gjinushi 'rishkruan historinë' për veten: Nuk isha i Ramiz Alisë, por i studentëve

Akademia e Shkenca, ka nisur një projekt të kushtueshëm për rishkrimin e historisë së Shqipërisë dhe duket se kryetari i saj, Skënder Gjinushi, ka nisur punën që të rishkruajë edhe rolin e vetë gjatë kohës që ishte ministër i Ramiz Alisë.

I ftuar në Spotlight nga Alban Dudushi, në Vizion Plus, në një rrëfim mbi karrierën e tij në politikë si dhe atë shkencore, Gjinushi i habiti të gjithë kur ndërsa i nxorën një nga fotografitë të takimit të studentëve në dhjetor 1990 me Ramiz Alinë, ai tha se ishte pjesë e delegacionit të protestuesve dhe jo të pushtetit komunist ku ishte edhe ministër Arsimi!

“Kur ishte Lëvizja e Dhjetorit në takimin tek Ramiz Alia, sigurisht që unë isha ministër i Arsimit dhe nuk kam ndonjë kompleks për atë, por e vërteta e thënë shkurt, të hënën pas 8 Dhjetorit, na është thënë nga Ramiz Alia që të shkojmë të takojmë studentët për të biseduar shtruar, se kshu kishim komunikuar natën, ditën. Pasi është folur që pika kryesore dhe e vetme është pluralizmi, pastaj është negociuar se ku do të bëhet takimi. Studentët, pasi u lanë që të shkojnë tek presidenti, kishin hezitimin për të vajtur vetëm. Përfundimisht i them Azem Hajdarit që po vij unë me Lisenin t’ju shoqërojmë. Ne kemi shkuar atje, kanë hyrë studentët. Ndërkohë, festonin, sepse pleniumi e kishte miratuar pluralizmin”, ka treguar Gjinushi “të vërtetën” e tij pas 30 vitesh.

Ndërkohë e vërteta që dihet prej kujtdo që ka përjetuar atë kohë është, se në atë takim Skënder Gjinushi ka qenë në krah të Ramiz Alisë dhe përball studentëve. Gjithashtu dihen edhe deklaratat dhe tentativat e tij si ministër i pushtetit të Ramiz Alisë e Nexhmije Hoxhës, për të sfumuar dhe shuar protestat e studentëve gjatë Dhjetorit të vitit 1990.