VIDEO/ Teatri, Adriana Kalaja: Veliaj përgjegjësi direkt, padi në SPAK dhe Ramës e Sorecës

Juristja e “Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar”, Adriana Kalaja, në një lidhje të drejtpërdrejtë me gazetaren Armela Ferko, në Syri Tv, deklaroi se sot ka fituar kauza e madhe e Teatrit, pasi Kushtetuesja vendosi për pezullim të punimeve.

Adriana Kalaja theksoi se Veliaj ka përgjegjësi direkt për të gjitha hapat antikushtetues që janë ndërmarrë për teatrin, kurse shtoi se të hënën do ketë padi në SPAK për kreun e Bashkisë së Tiranës, Ramën, por edhe Sorecën, pasi kanë konsumuar vepra penale, në prishjen e Teatrit.

“Veliaj nuk shpëton dot. Ne kemi konstatuar shkelje të ligjeve me të dyja këmbët, janë bërë veprime antikushtetuese. Të gjitha hapat antikushtetuese janë përgjegjësi direkt e Veliajt. Do i drejtohemi SPAK-ut, ku në fokus do jetë leja e ndërtimit, pjesë e kallëzimit do jetë edhe abuzimi i detyrës nga ana e Veliajt.  Veliaj ka abuzuar me punën shumë herë.

Veliaj do të jetë përballë një kallëzimi, ne po përgatisim kallëzim edhe për Sorecën, sepse ne mendojmë se ka konsumuar vepër penale. Nëse ndaj Sorecës nuk merren masa, ne do kërkojmë që të shpallet non grata”, deklaroi avokatja Kalaja.