EMRAT/ U arrestuan për trafik, ja kush janë dy truprojat e Tahirit

SPAK ka zbuluar detaje të reja në lidhje me shkatërrimin e grupit të trafikantëve të lëndëve narkotike, të cilëve krahas arrestimeve dhe lëshimit të urdhër arresteve u janë sekuestruar edhe drogë si edhe pasuri të paluajtshme.

Në një reagim për mediat, SPAK njofton se mes të 38 të arrestuarve janë edhe dy punonjës të policisë, të cilët veprën penale e kanë kryer në vitin 2016, periudhë gjatë të cilës mbanin detyrën e shoqëruesve të ministrit të Brendshëm.

Në atë kohë, ministër i Brendshëm ka qenë Saimir Tahiri, ndaj të cilit u hap një proces penal në vitin 2017.

Të arrestuarit janë Agustin Deda dhe Hekuran Marku.

Ndërkohë krimet janë kryer pikërisht në vitin 2016, në kohën kur Tahiri ishte ministër. Jo vetëm kaq, por në njoftim thuhet se këta zyrtarë, jo vetëm garantonin dërgesat, por në disa raste ishin pronarë të drogës.

“Në veçanti, masat e sigurisë personale janë ekzekutuar, (përveç 10 shtetasve që janë arrestuar më parë në kuadër të operacionit Kulmi) edhe për një administrator publik (drejtor), një prokuror, tre zyrtarë të lartë të policisë e dy punonjës të tjerë policie, këta dy të fundit në kohën e kryerjes së veprave penale – në vitin 2016 – me detyrën e pjesëtarëve të grupit te shoqërimit të ish – Ministrit të Brendshëm. Zyrtarët publikë, në disa raste pronarë të drogës, kanë garantuar, jo vetëm nga ana tokësore, por edhe detare në Shqipëri, që dërgimi i lëndës narkotike i destinuar në brigjet e Puglia-s të kryhej me siguri të plotë,” thuhet në njoftimin e SPAK.