SPAK: Arrestuam dy truprojat e Tahirit për krimet e vitit 2016

Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka dhënë njoftimin zyrtar në lidhje me operacionin “Shpirti”.

Mes personave të arrestuar nga radhët e policisë së shtetit, janë dhe dy shoqërues të ministrit të brendshëm Saimir Tahiri, dhe zyrtarë të tjerë të lartë.

“Në veçanti, masat e sigurisë personale janë ekzekutuar, (përveç 10 shtetasve që janë arrestuar më parë në kuadër të operacionit Kulmi) edhe për një administrator publik (drejtor), një prokuror, tre zyrtarë të lartë të policisë e dy punonjës të tjerë policie, këta dy të fundit në kohën e kryerjes së veprave penale – në vitin 2016 – me detyrën e pjesëtarëve të grupit te shoqërimit të ish – Ministrit të Brendshëm. Zyrtarët publikë, në disa raste pronarë të drogës, kanë garantuar, jo vetëm nga ana tokësore, por edhe detare në Shqipëri, që dërgimi i lëndës narkotike i destinuar në brigjet e Puglia-s të kryhej me siguri të plotë,” thuhet në njoftim.

“Masat parandaluese të pasurive dhe konkretisht sekuestro preventive që i përkasin sekuestrimit të pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme, si apartamente, troje, restorante, njësi tregtare, (12 pasuri te paluajtshme), 4 (katër) shoqëri tregtare bashke me asetet e tyre dhe disa automjete, të cilat arrijnë në vlerën e disa miliona euro,” vijon njoftimi.

“Në tërësi, në kuadër të hetimeve të sipërpërmendura, janë sekuestruar rreth 6 (gjashtë) tonelata lëndë narkotike të tipit marijuanë, kokainë e hashish, duke i hequr organizatave kriminale të ardhura të vlerësuara në mbi 55 milion euro, për një sasi totale prej rreth 14 milion dozash njëshe që dalin nga shpërndarja me pakicë”.