(VIDEO) Takimi me ambasadorin Soreca/ AMT: Të përjashtohet Vitore Tusha

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit kërkon nga Gjykata Kushtetuese përjashtimin e kryetares Vitore Tusha nga çështja e Teatrit Kombëtar. Arsyeja lidhet me takimin e saj me ambasadorin e BE në Tiranë, Luigi Soreca. AMT dyshon se takimi mes tyre është mbajtur i fshehur qëllimisht, pasi Soreca ka lobuar në favor të kryebashkiakut Erion Veliaj.

KERKESA E AMT

Duke respektuar maksimalisht periudhën e pritjes deri në daljen e vendimit nga ana e Trupës Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese, më datë 30.06.2021, nisur nga ngjarjet dhe informacionet e mara në rrugë jozyrtare, ne u detyruam t`i drejtohemi kësaj të nderuare gjykatë, me një kërkesë me objekt: Dhënie informacioni në lidhje me takimin e bërë brënda ambienteve të kësaj gjykate midis Kryetares së Gjykatës Kushtetuese dhe ambasadorit të Delegacionit të BE-së në Tiranë z. Luigi Soreca, në zbatim të Ligjit Nr.119/2014 “Për të drejtën e informimit”.

Shqetësimi i drejtë dhe shumë i madh i yni është se, jo vetëm që ky takim u mbajt i fshehtë si nga Gjykata Kushtetuese ashtu dhe nga ambasadori Soreca, por edhe kur ne e bëmë publik këtë fakt (fakt i pranuar edhe nga vetë palët në këtë takim), reagimi i papjekur dhe flakë për flakë i Delegacionit të BE-së dhe ambasadorit të saj, vërtetoi dyshimet tona të arsyeshme në lidhje më ushtrimin e ndikimit të paligjshëm në pushtetin gjyqësor.

Duke inkurajuar Delegacionin e BE-së dhe z. Soreca për ushtrimin e të drejtave të tyre për të ndjekur ligjërisht deklaratat (në shpifje sipas tyre), të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, vazhdojmë të insistojmë në pyetjen se: Përse Ambasadori i Delegacionit të BE-së, z. Luigi Soreca shkon në një takim JOZYRTAR në Gjykatën Kushtetuese, pa axhendë, pa protokoll dhe pikërisht në datën e seancës së Teatrit?

Sjellim në vëmëndje të publikut se, Delegacioni i BE-së në Tiranë është ndër përfaqësitë diplomatike të rangut më të lartë në Shqipëri dhe, takimi midis Kreut të këtij institucioni me Kreun e Gjykatës Kushtetuese, nuk mund të shihen dhe trajtohen:
- Si çështje private;
- Jashtë kushtit zyrtar të transparencës formale;
- Jashtë rezonimit publik.

Në ditët në vijim, ne do ndjekim të gjithë rrugët ligjore, ne institucionet kombëtare dhe ndërkombëtare, nga Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e më gjërë, për hetimin e plotë dhe të gjithanshëm në dhënien e përgjigjeve mbi pyetjet e drejta dhe legjitime tonat se:

- A ka qenë i planifikuar ky takim?
- Ku është protokolluar kërkesa për takim?
- Pse u zhvillua pikërisht në datën e seancës së Teatrit?
- Kush ka qënë objekti i bisedimeve?
- Ku është protokolluar dhe kush ka mbajtur diskutimet midis palëve?
- Pse nuk u bë publik takimi?
- Pse nuk u bë publike objekti i bisedimeve?

Po kështu do kërkojmë nga struktura e SPAK, konfiskimin e të gjithë kamerave brënda dhe jashtë godinës së Gjykatës Kushtetuese si dhe të gjithë aparaturave të komunikimit  si celular, kompjuter, laptop dhe çdo provë tjetër të personave të dyshuar, që do të shërbejnë në zbardhjen e kësaj ngjarje të rëndë në cënim të pavarësisë së pushtetit gjyqësor.

Duke ditur se Gjykata Kushtetuese është një ndër institucionet më të larta të vëndit jo vetëm në kuadër të sistemit të drejtësisë pasi, sipas Ligjit Nr.8577 datë 10.02.2000 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, në Nenin 19 “Marrëdhëniet protokollare”, pika 2 sanksionohet se: “Në marrëdhëniet protokollare Kryetari i Gjykatës Kushtetuese vjen menjëherë pas Kryeministrit”, shqetësimi ynë për një takim pa protokoll, pa transparencë dhe jashtë syve të publikut, EDHE nëse pranojmë versionin e ambasadorit Soreca se takimi ka patur në fokus plotësimin e vakancave në Gjykatën Kushtetuese (dhe për këtë nuk ka asnjë rol Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese pasi kandidaturat propozohen nga KED ku znj. Tushe nuk është as Kryetare e as anëtare), dhe zbatimin e Reformës në Drejtësi (aq më shumë që për këtë fakt takimi do duhej bërë publik), ka sjellë më shumë dëme se përfitime në interes të drejtësisë dhe po kështu edhe të publikut të gjërë.

Po të mbajmë në konsiderratë që vetë Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese është më mandat të përfunduar që nga 22 prilli i vitit 2017 (pra mbi 4 vjet), takimi me ambasadorin e BE-së kokë më kokë dhe pa praninë e të gjithë Trupës Gjyqësore pranë kësaj gjykate, ngrejnë dyshime të forta dhe të arsyeshme, se ky takim nuk ka lidhje me vakancat dhe me reformën në drejtësi, por për interesa të ngushta dhe korruptive të ambasadorit Soreca (fakte dhe prova të cilat po ja referojmë dhe Bashkimit Europian). 
Në këto kushte, ne çmojmë se ky takim ka ulur ndjeshëm jo vetëm legjitimitetin e  Gjykatës Kushtetuese në paanësinë dhe sovranitetin e saj, por edhe ka ulur ndjeshëm besimin e publikut dhe posaçërisht e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit si palë e tretë në këtë gjykim, në një vendim të drejtë dhe bazuar në Kushtetutë, kjo sidomos në raport me pozicionin e Kryetares së Gjykatës Kushtetuese.

Cenimi i besimit tonë për një vendim të drejtë dhe të papanshëm, u shtua edhe më shumë nisur nga përgjigja që ne morëm nga Gjykata Kushtetuese, Nr.284/1 Prot., datë 30.06.2021, në raport me kërkesën tonë, përgjigje e cila ishte jo vetëm shumë e vaket dhe e cekët në përmbajtje, por nuk dha asnjë provë bindëse për ne si palë, se ky takim nuk ka ndikuar dhe nuk do të ndikojë në vendimarrjen e çështjes së TEATRIT.

Shqetësimit tonë publik në lidhje me këtë takim “zyrtar” jashtë formatit standart të transparencës, jo vetëm që i duhej kthyer një përgjigje në lartësinë e shqetësimit publik në lidhje me efektet që ka prodhura ky takim, por edhe një transparencë e plotë bazuar në dispozita ligjore në lidhje me protokollin e këtij takimi.

Në referim të parashikimeve të Ligjit Nr.8577 datë 10.02.2000 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, të ndryshuar,  jo vetëm duhet të kishim marë një reagim serioz dhe transparent të këtij takimi (me numër kërkese dhe protokolli të takimit si dhe temën e diskutimeve të zbardhura), por do duhej që në zbatim të Nenit 36 të këtij ligji, “Heqja dorë nga shqyrtimi i çështjes”, Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të hiqte dorë nga shqyrtimi dhe vendimmarrja në lidhje me këtë çështje, kjo sipas pikës ç), të këtij neni i cili sanksionon se rastet e dorëheqjes aplikohen kur: “paanshmëria e tij vihet në dyshim për shkaqe të tjera”.

Nisur nga fakti se jo vetëm nuk morëm një përgjigje serioze lidhur me shqetësimin tonë dhe të bazuar në prova dhë në ligj, nisur edhe nga fakti se Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese nuk hoqi dorë me inisiativë nga vendimmamrrja në këtë çështje, në zbatim të nenit 37 të Ligjit Nr.8577 datë 10.02.2000 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, i ndryshuar, pika 1. dhe 2., jemi të DETYRUAR të:

KËRKOJMË:
- Përjashtimin e Kryetares së Gjykatës Kushtetuese, Gjyqtares Vitore Tusha nga vendimmarrja në lidhje me këtë çështje pasi plotësohen kërkesat e nenit 36 pika ç) e  Ligjit Nr.8577 datë 10.02.2000 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, të ndryshuar.
Të bindur se qasja dhe reagimi i Trupës Gjyqësore pranë Gjykatës Kushtetuese do jetë në respektim të Kushtetutës dhe lartësinë e detyrës, jemi në pritje të një vendnimi konform dispozitave ligjore në fuqi, për pranimin e kërkesës tonë lidhur me përjashtimin e Gjyqtares Tusha nga vendimmamrrja e çështjes së TEATRIT.