Gati për Lojërat Olimpike, Shqipëria synon medalje në Tokio

9 sportistë shqiptarë do të mbajnë lart flamurin kuqezi në Tokio, teksa do të përfaqësojnë vendin në Lojërat Olimpike, të shtyra prej verës së kaluar.

Shqipëria është gati për aktivitetin më të rëndësishëm sportiv në glob atje ku pavarësisht vështirësive të një viti pandemik, kërkon rezultate dhe pse jo edhe medalje në disa prej disiplinave.

Mbështetja ekipin shqiptar këtë edicion është si asnjëherë më parë, bën me dije presidenti i ri i KOKSH, Fidel Ylli.

Luiza Gega, Izmir Smajlaj, apo peshëngritësit Çalja e Qeriamaj tregojnë se janë në formë edhe pse kushtet e tyre kanë qenë jo aq të favorshme sa pjesa tjetër e kuqezinjve që stërviten jashtë.

Lojërat Olimpike të Tokios nisin më 23 korrik dhe përfundojnë më 8 gusht, ndërsa do të zhvillohen nën masa të shtrënguara për shkak të pandemisë.