Çerekfinalja me Ukrainën/ Ambasada italiane paralajmëron tifozët anglezë, s’do lejohen në ‘Olimpico’

Tifozët e Anglisë që udhëtojnë në Itali për të parë ndeshjen e ekipit të tyre në çerekfinale të Euro 2020 me Ukrainën janë paralajmëruar se nuk do të lejohen në stadium.

Sfida mes Anglisë dhe Ukrainës do të luhet të shtunën në orën 21:00 në “Olimpico” të Romës.

Një deklaratë nga ambasada italiane në Londër tha se për shkak të kufizimeve aktuale të koronavirusit në vend, “kushdo që ka qenë në Mbretërinë e Bashkuar në 14 ditët e mëparshme, pavarësisht nga kombësia ose vendbanimi i tyre nuk do të pranohet në stadium, edhe nëse ata kanë një biletë”.

Sqarimi i ambasadës italiane vazhdon: “Vetëm ata që mund të provojnë se kanë mbërritur në Itali të paktën gjashtë ditë më parë, kanë qëndruar pesë ditë në karantinë dhe kanë marrë një test COVID-19 pas karantinës me një rezultat negativ do të lejohen në ‘Stadio Olimpico’.

Përjashtimi nga karantina në Itali për ndonjë arsye ligjore, nuk do të përkthehet në leje për të hyrë në stadium. Për shembull, udhëtarëve që po qarkullojnë nëpër Itali për më pak se 36 orë ose vizitojnë shkurtimisht për arsye pune nuk u kërkohet të karantinojnë, por atyre nuk do t’u lejohet të hyjnë në stadium.

Kushdo që zbulohet se nuk është në karantinë do të ndëshkohet”.