Fiskalizimi në vend, Zusi: Bizneseve t’ju jepet 6 muaj kohë për të mësuar procesin, të mos ketë penalizime!

Fiskalizimi është një tërësi masash që përdoren për të zvogëluar evazionin fiskal në transaksionet me dhe pa para në dorë. Në procesin e fiskalizimit, të gjitha transaksionet (faturat) raportohen në kohë reale në Administratën Tatimore. Për efekt të identifikimit dhe gjurmimit të çdo transaksioni, çdo fature i jepet numri identifikues i veçantë i faturës.

Nëse më parë, një subjekt ishte i detyruar të plotësonte blloqet tatimore, të hidhte manualisht apo nëpërmjet sistemeve, librat e shitjeve apo të blerjes në programin e taksave, tashmë ai këto të dhëna mund t’i dërgojë direkt pranë Administratës Tatimore. Do të ulet koha që bizneset harxhojnë për të përmbushur detyrimet ndaj Tatimeve, por procesi nuk është kaq i thjeshtë, diskutojmë pas materialit për sfidat dhe avantazhet dhe sa gati janë bizneset për këtë proces.

I ftuar në studion e ‘Ekonomi Plus’, kryetari i Shoqatës së Eksportuesve, Alban Zusi për të diskutuar mbi çështjen e fiskalizimit.

“Administrata nuk është gati për këtë hap. Të jemi realist është një hap i rëndësishëm dhe i vështirë! Mendoj se duhet të filloj, do ketë probleme por do të zgjidhen. Por kërkoj që administrata fiskale të mos i penalizoj bizneset për 6 muaj, sepse duhet kohë të mësohet ky proces. Do të ketë kosto si proces, por është koha e duhur për të ndodhur kjo. Nëse bizneset fiskalizohen menjëherë, pas 3-4 muajsh ecën mirë, ne do kemi shumë para në buxhetin e shtetit, por do na mungojnë paratë në probleme të konkurrencës etj. Pra duhet të mendojmë se çfarë do të ndodh për 2 muaj nëse ecën mirë.“