2 mijë euro për lirimin e të pandehurit/ Si ra në përgjimet e SPAK, prokurori i arrestuar

Është zbardhur vendimi i SPAK për arrestimin gjatë ditës së sotme të prokurorit të Kukësit, Edmond Karriqi.

Ndaj këtij të fundit rëndon akuza për ‘korrupsion pasiv’.

Sipas SPAK janë mbledhur prova konkrete nga të cilat rezulton që Edmond Karriqi ka kërkuar dhe ka marrë përfitime monetare të parregullta, me qëllim për të favorizuar disa persona nën hetim nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së parë Kukës.

Karriqi akuzohet se ka marrë shumën prej 2 mijë euro për të ndryshuar masën e sigurisë për një të pandehur.

Po ashtu në pranga kanë rënë edhe Isuf Gega.

Ndërkohë është lëshuar masa e sigurisë “arrest me burg” për persona të tjerë, D.D dhe E.B si të dyshuar se kanë dhënë para ndaj prokurorit Kariqi.

Mësohet se në pranga ka rënë edhe shoferi i Edmond Karriqit ndërsa është kontrolluar edhe banesa e prokurorit. 

Edmond Karriqi është Drejtuesi i Komanduar nga KLP në krye të prokurorisë së Kukësit, ndërsa emërimin e tij, e ka si prokuror në detyrë në prokurorinë e Lushnjës.

Tre vite më parë Karriqi ka shërbyer si prokuror edhe në Kavajë.