VIDEO/ Berisha i shkruan 'Vatrës': Shpallja non grata, veprim aksidental

Ish-kryeministri Sali Berisha i ka dërguar një letër Federatës Pan–Shqiptare të Amerikës, Vatra ku i falënderon për qëndrimin e mbajtur ndaj vendimit për shpalljen “non grata” të tij. Berisha thotë se i sfidon trilluesit e një vendimi të tillë me mbrojtjen ligjore, ndërsa e konsideron vendimin për shpalljen ‘non grata’ si një veprim aksidental, të ndërmarrë tërësisht pa bazë, pa fakte dhe pa prova

SYRI TV

Ish-kryeministri Sali Berisha i është drejtuar me një letër falenderimi Bordit Ekzekutiv të Federatës Pan–Shqiptare të Amerikës, Vatra, pas reagimit të saj për shpalljen 'non grata' nga Sekretari i Shtetit, Antony Blinken.

'Që në ditët e para të angazhimit tim politik pro – amerikan dhe pro – perëndimor, kam ndjerë afërsinë e Vatrës, si organizata shqiptaro – amerikane më e njohur dhe më aktive në mbrojtjen e të drejtave të popullit shqiptar në Ballkan.  Unë i sfidoj trilluesit e një vendimi të tillë me mbrojtjen ligjore, me nderin dhe dinjitetin tim dhe të familjes time, me krenarinë e një patrioti shqiptar, dhe të një dashamirësi të patundur ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës'.

Berisha rithekson se ndaj tij nuk ka asnjë akuzë dhe marrja e këtij vendimi është aksidentale.

'Shpalljen time persona ‘non grata’ e konsideroj si një veprim aksidental, të ndërmarrë tërësisht pa bazë, pa fakte dhe pa prova. Nuk ka ekzistuar kurrë dhe nuk ekziston asnjë akuzë e adresuar ndaj meje, bashkëshortes dhe fëmijëve të mi prej ndonjë entiteti ligjor as në Shqipëri dhe as në botë. Gjithçka në atë vendim është bazuar në trillime të sajuara prej atyre që në vitet 1990 flaknin flamurin amerikan si leckë, ndërsa sot hiqen si dashnorët më të mëdhenj të vendit tuaj. Ata që kanë trilluar fallsitete të tilla, çdo gjë mund të jenë, por jo miq të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Ata janë armiq të demokracisë dhe lirisë për të cilën ne luftuam së bashku me ju vatranë të dashur, që në ditët e fundit të dhjetorit 1990 e deri më sot. Kapja e shtetit sot shkon në drejtim krejt të kundërt me atë që Ju ëndërronit dhe ne punuam për Shqipërinë'.

Sipas Berishës, tërë ata që në atë kohë ishin kundërshtarët më të egër të Amerikës, e kanë ndërruar lëkurën e ujkut dhe në një mënyrë iluzicioniste dhe të paqartë për Amerikën e vërtetë, janë maskuar dhe shiten si miq të Amerikës.