Shqipëria në listën e pastrimit të parave, Tabaku: Fajtorët, ata që vjedhin zgjedhjet me paratë e pista!

Jorida Tabaku, deputete e zgjedhur e PD-së, deklaroi sot se Shqipëria vazhdon të jetë në listën e vendeve ku pastrohen paratë e krimit, por se nuk janë qytetarët e thjeshtë fajtorë për këtë, por ata që i qeverisin, ata që vjedhin zgjedhjet me paratë e pista.

Në mesazhin e saj në Fb sot, Tabaku shprehet: 

"Shqipëria jonë vazhdon të jetë në listën e vendeve të dyshuara për pastrimin e parave, dëshmi se si një nga 15 kriteret e vendosura nga KE nuk është përmbushur dhe provë shtesë që tregon se si pastrimi parave është një nga rrugët se si krimi organizuar gjallon në vend.

Ekonomia informale që zgjerohet përditë për shkak të politikave të gabuara që qeveria ka ndërmarrë këto 8 vite. Por, mbi të gjitha, mbështetja e madhe që krimi organizuar kanë pasur në pastrimin e parave.

Ndërtimi, turizmi janë vetëm disa nga sektorët që janë kthyer në zhguallin mbrojtës të atyre që pastrojnë paratë. Fatkeqësisht nuk do të jenë të vetmit duke pasur parasysh kriptomonedhat dhe paafësinë e qeverisë për të manaxhuar edhe këtë formë të re pastrimi parash.

Një gjë është e sigurtë; shqiptarët nuk janë fajtorë për sa po ndodh pasi fajtorët e vërtetë janë ato që vjedhin zgjedhjet me paratë e pista dhe më pas janë peng i tyre."