VIDEO/ Leli u mbylli derën e teatrit, këshilltarët mblidhen në rrugë

Këshilltarët e Bashkisë së Vlorës janë mbledhur sot përpara teatrit “Petro Marko”, në pritje të mbledhjes me kryebashkiakun Dritan Leli, i cili i ka lajmëruar që nuk do të jetë i pranishëm.

Leli vijon të mbajë qendrim refuzues për një mbledhje bashkie në teatër, dhe i ka pritur këshilltarët në mbledhje online, të cilët nuk i kanë shkuar.

Sot këshilltarët kanë shkuar pranë Teatrit dhe janë ulur në rrugë, sa kohë që dera e institucionit qëndron e mbyllur. Mbledhja në rrugë zgjati pak minuta.

Vetë Leli, bëjnë me dije burimet, është për një vizitë pune në Itali dhe nuk do të jetë prezent edhe sot në mbledhje, ndërkohë që dera e teatrit ‘Petro Marko’ u hap vetëm të dielën, me praninë e kryeministrit Edi Rama, i cili mblodhi asamblenë socialiste të qytetit.

Këshilltarët kanë vendosur një tavolinë ku është shënuar dhe emri i Lelit, edhe pse kanë qenë në dijeni se kryetari i bashkisë nuk do të jetë i pranishëm.

Përplasja për mbledhjen ka nisur tashmë prej afro një muaji, ku Leli refuzon që të mbajë mbledhje me dyer të mbyllura, pasi sipas tij kjo bie ndesh me rregullat e pandemisë.