Vrasjet në bregdetin shqiptar mund ta zbehin hovin e turistëve kosovarë

Bregdeti shqiptar po vazhdon të mbetet si destinacioni kryesor i kosovarëve për të kaluar pushimet verore.

Se pushuesit kosovar, tashmë kanë pushtuar plazhet e Shqipërisë, dëshmohet edhe nga fluksi i madh i automjeteve në pikën e kalimit kufitar të Morinës, ku thuajse çdo fundjavë raportohet për kolona disa orëshe në drejtim të Shqipërisë.

Por, përveç një bregdeti të pastër, një bukurie të rrallë natyrore, e madje edhe çmime të volitshme si dhe komoditeti, së fundmi, në të njëjtin vend janë ngritur shqetësime të mëdha në disa zona turistike nga disa incidente të pakëndshme e deri tek ato tragjike.

E fundit ishte tragjedia në plazhin e Velipojës, ku u vranë katër persona dhe u plagosen dy të tjerë, ngjarje kjo që detyroi shumë qytetarë të ndërpresin pushimet e tyre, apo të ndërrojnë destinacion, shkruan Syri.net Kosova.

Por sa do të mbeten këto plazhe në top listën e kosovarëve pas ngjarjeve të fundit tejet shqetësuese?!

Kryetari i Unionit të Turizmit të Kosovës (UTK), Baki Hoti, në një deklaratë për Syri.net Kosova ka shprehur shqetësimin lidhur me të gjitha ngjarjet që kanë ndodhur në bregdetet shqiptare, duke i konsideruar të papranueshme.

“Ngjarjet e tilla janë të papranueshme sidomos në këtë fillim sezone turistike ku ndikojnë direkt edhe tek pushuesit. Padyshim që këto ngjarje ndikojn negativisht por nuk besoj që do të ndikojn deri në atë masë sa të mos zgjidhet bregdeti shqiptar për pushime”, tha ai.

Hoti tutje bëri apel që organet përkatëse të bëjnë të pamundurën për të evituar raste të tilla.

 “Unioni i Turizmit të Kosovës i dënon këto veprime ,njëkohësisht bën apel tek institucionet e rendit dhe akterët e sektorit të menaxhimit të Turizmit të bëjnë çmos që rastet e tilla të mos përsëriten. Urojm që këto ngjarje mos të reflektojn negativisht dhe pushuesit kosovar të ndihen të sigurt dhe të kalojn sa më mirë pushimet në bregdetin shqiptar”, tha Hoti për Syrin.

Syri.net Kosova ka biseduar edhe me disa qytetarë, ku një prej tyre thotë se ngjarjet e tilla nuk duhet të ndikojnë deri në atë masë, sa t’i ndërpresë pushimet.

“Frika ekziston gjithmonë me shku në Shqipëri për pushime, por belaja e gjen atë që e kërkon e në rastin tim unë shkoj me pushu e jo me hy n’konflikte me njerëz, tjetër kush le të merret me ato punë. Vrasjet e fundit atje nuk dmth që me na I ndal pushimet neve, sepse vrasje po ndodhin edhe midis qendrës së Prishtinës, shkurt shqip taksiratit smunesh mi ik, amo në plan se kam me I prish pushimet e mija, veq pse vrahet për problem të vetat”, tha i njëjti.

Ndërkaq, krejt ndryshe mendon E.M. Ky thotë se këto raste e kanë “vulosur” mosshkuarjen në plazhin e Durrësit apo Velipojës.

“Më pëlqen plazhi i Jugut, në plazhin e Durrësit apo Velipojës nuk kam preferuar të shkoj asnjëherë, por, me ngjarjet e fundit veçse është "vulosur" më shumë kjo pjesa e mosshkuarjes në këto vende turistike. Si do qoftë, uroj që të reflektojnë shqiptarët pasi humbja e turistëve për shkak të veprave të tyre nënkupton një sezon të dështuar dhe një humbje e madhe ekonomike duke ditur edhe pasojat nga humbjet që i shkaktoi pandemia COVID-19" shtoi qytetari.

E për të njëjtat raste ka reaguar edhe ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Nait Hasani, i cili ka thënë se ngjarja e së dielës në Velipojë ku u vranë katër persona dhe u plagosën dy të tjerë nuk duhet t’i frikësojë kosovarët.

Hasani deklaroi se ngjarje të tilla ndodhin në çdo vend të botës dhe se nuk ka rrezik për pushuesit kosovarë.

“Raste të tilla janë individuale dhe nuk duhet të merret si çështje e turizmit. Rastet individuale mund të ketë në çdo familje dhe në çdo vend nëpër botë dhe nuk duhet të merren në këtë formë. Çdo qytetarë shqiptarë duhet ta bëjë turizmin dhe pushimet në Shqipëri sepse pushojmë shqip, ndjejmë shqip dhe jetojmë shqip. Prandaj, çështja e Velipojës dhe shumë raste tjera që kanë ndodhë në të kaluarën sepse ato raste duhet të jenë të izoluara”, tha ai në një TV.