EMRAT/ Vodhën transformatorin e energjisë elektrike, 4 në pranga në Durrës

Policia e Shtetit njofton se ka arrestuar katër persona në Durrës, pasi janë kapur në flagrancë duke vjedhur një transformator.

Sipas policisë, në pranga kanë rënë shtetasit Ismail Nure, Ardjan Halil, Dashamir Troci, Lulzim Vrapi.

Po ashtu, është shpallur në kërkim shtetasi Luan Salliu.

Njoftimi i policisë:

Durrës

Kapen dhe arrestohen në flagrancë 4 shtetas dhe shpallet në kërkim 1 tjetër, pasi u konstatuan nga shërbimet e Policisë, duke vjedhur një transformator të energjisë elektrike.

Të 4 autorët e arrestuar, me precedent të mëparshëm penal në fushën e vjedhjeve.

Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale transformatori, pajisjet që shërbenin për çmontimin e tij dhe automjeti që do përdorej për transportin.

Shërbimet e Komisariat të Policisë Durrës, në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve, kapjen dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve, falë reagimit të menjëhershëm arrestuan në flagrancë shtetasit:

I. N., 31 vjeç, A. H., 30 vjeç, D.T., 36 vjeç, të dënuar më parë për veprën penale "Vjedhja", L. V., 29 vjeç, i dënuar më parë për veprën penale "Vjedhja e energjisë elektrike", të katërt banues në Tiranë.

Gjithashtu u bë shpallja në kërkim dhe vijon puna për kapjen e shtetasit L. S., 54 vjeç, banues në Tiranë.

Këta shtetas, ditën e sotme, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në fshatin Romanat, Durrës, janë konstatuar dhe kapur në flagrancë nga shërbimet e Policisë, duke vjedhur një transformator të energjisë elektrike.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan transformatori, pajisjet që shërbenin për çmontimin e tij dhe mjeti me të cilin do e transportonin.

Nën drejtimin e Prokuorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, vijon puna për dokumentimin dhe zbardhjen e disa vjedhjeve në të cilat këta shtetas mund të jenë të përfshirë.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprën penale "Vjedhja" kryer në bashkëpunim.