Dogjani: Shqipëria është kthyer në shesh beteje! Shteti është bërë njësh me krimin

I ftuar në hapsirën e Intervistës së Ditës në Syri Tv me moderatoren Armela Ferko, ish-deputeti dhe ish-drejtuesi i policisë Asllan Dogjani ka komentuar kriminalitetin në vend, i cili vë në pikëpyetje mbarëvajtjen e sezonit turistik.

Dogjani: I kam ndjekur deklaratat dhe më vjen shumë keq kur ministri dhe kryeministri mundohen ti largohen përgjegjësisë duke e quajtur një situatë normale, por duke shkuar edhe më tej duke hyrë edhe në pavarësinë e gjyqësorit nga deklaratat e tyre. Të gjitha këto ngjarje janë pasoja të cilat kanë një shkak. Ngjarja e Shkodrës është shumë e rëndë pasi dy familje kanë futur familjarët e tyre në dhe në moshën më të mirë. Për më tepër është vrarë edhe një fëmijë 20 vjeçar i cili e kishte ditën e parë të punës dhe ishte jetim. Një fëmijë i cili nuk kishte zgjedhur rrugën për tu marë me krimin por kishte xgjdhur rrugën për të punuar dhe për të ndihmuar nënën e tij dhe të ndryshonte gjendjen e familjes të ngopeshin me bukë.

Kjo ngjarje jep një mesazh shumë të rëndë te të rinjve, pasi nuk mund të rrinë më në këtë vend dhe kanë marrë çantën dhe kanë ikur. Nuk e shohin veten të sigurtë në këtë vend. Po si ti nxisim fëmijët të jetojnë në këtë vend kur ngjarje kriminale i zënë vendin njëri tjetrit dhe kryeministri del dhe thotë që Shqipëria do jetë kampione e turizmit, kur në fakt Shqipëria është kthyer në shesh beteje. Ku individë të lidhur me pushtetin dhe të fortë, zaptues të cilët ndajnë pronat sikur të ishim në kohën e kaubojsave. Shteti është bërë njësh me krimin.