Kriza e plehrave të Durrësit në 6 hapa/ Të gjithë aktet e Ramës për favorizimin e Zotos

Qëllimi i qeverisë për të depozituar mbetjet e Durrësit në inceneratorin e Sharrës po realizohet falë një sërë vendimesh të marra nga zyrtarët socialist. Gjithçka zë fill në nënshkrimin e kontratës ku një pikë e saj i jep të drejtë kompanisë të marrë mbetjet nga qarqet e tjera, më pas mbyllja e Porto Romanos, propozimet e Alqi Bllakos, shpallja e emergjencës mjedisore dhe rishpallja e saj e detyrojnë Bashkinë e Durrësit të çojë mbetjet në kompaninë e Klodian Zotos me një kosto të paktën 40 euro për ton.

Nga SYRI TV

Afera e inceneratorëve në Shqipëri është një prej atyre rasteve tipike, të cilat në raportin e Transparency International, të publikuar në mars të këtij viti, konsideroheshin si ligje apo vendime qeveritare ‘me porosi’.

Organizata ndërkombëtare përfshinte në listën e ‘porosive’ ofertat e pakërkuara, të njëjtat me të cilat kompania off-shore ‘Integrated Energy BV’ fitoi kontratën koncensionare për landfillin dhe inceneratorin e Sharrës në Tiranë.

Për opozitën, çështja e inceneratorëve është një skandal korruptiv, ku përfshihen kryeministri Edi Rama, ministri Arben Ahmetaj, deputetët e sapozgjedhur Lefter Koka e Alqi Bllako, si edhe një dyzinë zyrtarësh më të ulët.

Afera e inceneratorëve po merr përmasa gjigante, sidomos pas asaj që po ndodh prej muash me mbeturinat në qytetin e Durrësit.

Syri TV po rindërton disa hapa të ndërmarrë nga qeveria, për të shkaktuar kaosin e plehrave në qytetin bregdetar, me qëllim final rritjen eksponenciale të fitimeve për kompaninë e administruar nga Klodian Zoto.

Hapi i parë është krijimi i kushteve kontraktore

Në Gusht 2017, Ministria e Mjedisit, e drejtuar në atë kohë nga Lefter Koka, nënshkruan kontratën koncensionare me ‘Integrated Energy BV’, për ndërtimin e landfillit dhe inceneratorit të Sharrës.

Ky projekt synonte përpunimin e mbetjeve të Qarkut të Tiranës, e kryesisht të Bashkisë së Tiranës.

Por, një parashikim në formë pyke në kontratë, i jep të drejtën kompanisë private që të furnizohet me mbetje edhe nga qarqe të tjera.

Hapi i dytë ishte mbyllja e Porto Romanos

Në fillim të vitit 2020, qeveria, nëpërmjet Agjencisë Kombëtare të Mbetjeve të drejtuar nga Alqi Bllako, vendosi mbylljen e landfillit të Porto Romanos, pika kryesore e depozitimit të mbetjeve në Durrës.

Sipas planit të qeverisë, Porto Romano do të shndërrohet në një Eko-Park dhe tenderi 15 milionë euro për këtë shërbim iu dha kompanisë italiane ‘De Mare’, një bashkëpunëtore e ngushtë e kompanisë koncensionare të inceneratorit të Sharrës.

Hapi i tretë ishte nxitja e krizës së mbetjeve

Në qershor 2020, Bashkia e Durrësit u detyrua të shpallë gjendjen e emergjencës, për shkak se, pasi qeveria ‘Rama’ vendosi mbylljen e Porto Romanos, nuk kishte një hapësirë të domosdoshme për depozitimin e mbetjeve.

Hapi i katërt ishte paraqitja e Integrated Energy BV si bamirëse

Pas ndërhyrjes së Agjencisë Kombëtare të Mbetjeve, kompania koncensionare e landfillit të Sharrës pranoi të pranojë, pa pagesë, mbetjet e Durrësit, për një vit.

Hapi i pestë ishte bllokada ndaj Bashkisë së Durrësit

Në kushtet e emergjencës, Bashkia e Durrësit hartoi një plan për të siguruar një vend-depozitim të ri për mbetjet në territorin e saj dhe kërkoi ndihmën e qeverisë për të financuar projektin, pasi financat e administratës vendore ishin goditur rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 dhe pandemia e Covid-19.

Qeveria nuk i dha asnjë përgjigje propozimit të Bashkisë së Durrësit.

Përkundrazi, Agjencia e Mbetjeve hartoi një projekt të ri, në të cilin i diktonte Bashkisë së qytetit bregdetar që të nënshkruante një kontratë me inceneratorin e Sharrës.

Hapi i gjashtë, ri-shpallja e emergjencës

Bashkia e Durrësit, në kushtet e mungesës së fondeve qeveritare, u detyrua të pranojë variantin e Alqi Bllakos.

Një vit pas shpalljes së emergjencës, Durrësi tashmë është sërish në situatë të vështirë. Kompania e Klodian Zotos, sipas citimeve mediatike, i ka dhënë vetëm dy javë kohë për të depozituar mbetjet e qytetit, para se të gjejë një zgjidhje.

Në kushtet e super-emergjencës, aq më tepër në kohë sezoni turistik, Bashkia e Durrësit do të jetë e detyruar të dërgojë mbetjet tek inceneratori i Sharrës, duke paguar të paktën 40 euro për ton mbeturina, kosto e cila do të rëndojë ndjeshëm qytetarët durrsakë.

Pra, në përfundim të këtyre hapave, qëllimi tashmë po realizohet. Plehrat e Durrësit do të dorëzohen tek Klodian Zoto dhe bashkëpunëtorët e tij, duke u siguruar përfitime të majme në kurriz të qytetarëve.