Ofendimet/ Pyetet nga SYRI TV për ‘fatin’ e Pjerin Ndreut, Rama ia kalon topin gjykatës

Kryeministri Edi Rama është pyetur sërish nga gazetarja e SYRI TV, Ambrozia Meta, në lidhje me ‘fatin e kryebashkiakut të Lezhës Pjerin Ndreu pas denoncimit të bërë nga tre efektivë të policisë të cilët pretendojnë se ky i fundit i ka penguar dhe ofenduar në kryerjen e detyrës’.

Gazetarja i ka kujtuar kryeministrit, se Ndreu bëhet protagonist për herën e dytë pas daljes në përgjimet e publikuara nga BILD, ku kërcënonte për votë një mësuese.

Rama ka ripërsëritur se Ndreu ka bërë gabim, por fatin e tij e ka tani në dorë gjykata pas denoncimit të bërë nga grupi i tre policëve, me të cilët u përplas.

‘Së pari nuk kuptoj ku është lidhja. Megjithatë kur vjen puna për ofendimin e policisë askush nuk ka të drejtë dhe askush nuk mund t’ia hedhë lehtë pa u përballur me ligjin. Por policisë i bëhet edhe një ofendim tjetër kur i hidhet faji për çdo gjë që ndodh. Ky është ofendim më i madh se ofendimi i një personi ndaj dy apo tre. Se individuali zgjidhet.

Është në shkelje të ligjit, të detyrës dhe të ligjit. Është përgjegjës. Të gjithë duhet të përgjigjen për gabimin e tyre. Në këtë rast nuk kemi një tolerimi të faktit se një zyrtar i lartë ofendon një patrullë apo punonjësish policie’- tha Rama.