Duraku i Ramës: 397 milionë euro humbet shteti vetëm nga shezlonet në plazh

“Derisa tregu i shezloneve, gjithë kjo pasuri i është lënë në dorë një nëpunësi në Ministrinë e Turizmit dhe një nëpunësi në Bashki,  mbetet një fushëbeteje nga më të egrat që prodhon vetëm konflikte”, gjykon ish-deputeti socialist, biznesmeni Shyqyri Duraku, duke tentuar të shkojë në rrënjët e problemit që shkaktoi masakrën e Velipojës.

Socialisti Duraku, i cili tashmë ka një pasaardhëse të fortë të tijën në qeverisje, të bijën deputete Gerta Duraku, nuk ka ngurruar ta sulmojë qeverinë Rama dhe të drejtojë gishtin e akuzës ndaj qeverisë se e ka paralajmëruar për lënien e bregdetit në dorën e “pushtuesve”.

“Para më shumë se një muaji, - nënvizon Duraku në Fb, - paralajmërova se bregdeti është në dorën e pushtuesve, se lufta për pak plazh, lufta për pak det, lufta për të vendosur një çadër, lufta për të argëtuar fëmijët në bregdet, lufta për të respektuar moshën e tretë - është bërë e padurueshme. Perandoria e shezloneve sa vjen e rritet.

Kjo perandori aktualisht regjistron rreth 430 mijë çadra që më e pakta shërbehet me 5 euro në ditë. Pra, një e ardhur jo më pak se 200 milionë euro pa llogaritur se edhe mbi 200 milionë të tjera janë të ardhura nga shërbimet në shezlone. Për 400 milionë euro të ardhura nga kjo industri, vetëm 3,5 milionë arkëtohen nga shteti në formë qeraje.

Tregu i shezloneve çdo vit ka ardhur në rritje, ai për çudi rritet më shpejt se rritja e numrit të shtretërve në hotele. Derisa e gjithë kjo pasuri iu është lënë në dorë një nëpunësi në Ministrinë e Turizmit dhe një nëpunësi në Bashki, kjo mbetet një fushëbeteje nga më të egrat ku prodhon vetëm konflikte.”/ar.sh/SYRI.NET