Ministrat e jashtëm të G20 takohen ballë për ballë në Itali

Ministrat e jashtëm nga Grupi i 20 ekonomive kryesore u takuan ballë për ballë të martën për herë të parë në dy vjet, me Italinë pritëse që synon të nxisë trajtime shumëpalëshe për krizat globale si pandemia Covid-19.

Takimi njëditor në qytetin jugor Matera të goditur nga nxehtësia do të ketë debate se si të përmirësohet bashkëpunimi për një sërë çështjesh si shëndeti global, emergjenca e klimës dhe tregtia ndërkombëtare.

"Pandemia ka theksuar nevojën për një reagim ndërkombëtare ndaj emergjencave që kapërcejnë kufijtë kombëtarë," tha në mbledhje, Ministri i Jashtëm italian Luigi Di Maio

Italia, e cila mban presidencën e rradhës së G20, ka thënë që vëmendje e veçantë do t'i kushtohet Afrikës, me një theks të veçantë në zhvillimin e qëndrueshëm.

Vendet anëtare të G20 përbëjnë më shumë se 80% të prodhimit të brendshëm bruto botëror, 75% të tregtisë globale dhe 60% të popullsisë së planetit.

Në Matera ishin diplomatët kryesorë të Shteteve të Bashkuara, Japonisë, Britanisë, Francës, Gjermanisë dhe Indisë.

Ministrat e jashtëm të Kinës, Brazilit dhe Australisë vendosën të ndiqnin diskutimet me lidhje video dhe Rusia dhe Koreja e Jugut dërguan zëvendësministra.