Masakra në Velipojë/ Zbardhen të tjera detaje nga ngjarja e rëndë

Zbardhen të tjera detaje nga masakra e Velipojës, ku mbetën të vrarë katër persona.

Tre armë zjarri pistoletë dhe një armë zjarri automatik janë përdorur në përplasjen me armë në Velipojë.

3 pistoletat janë sekuestruar nga policia, ndërsa arma tip kallashnikov, e konstatuar nga gëzhojat e gjetura në vendin e ngjarjes, nuk është gjetur.

Sipas materialit referues, 13 gëzhoja të plasura janë gjetur në vendin e ngjarjes, si dhe 5 gëzhoja të paplasura, apo të dëmtuara.

Policia dhe prokuroria ende nuk ka përcaktuar se kush ka qëlluar i pari në ngjarjen e rëndë, kjo për shkak të mungesës së pamjeve filmike që nuk kapnin të gjithë skenën e krimit, errësirës dhe mungesës së kamerave në rrugica.

Ndërsa nga Spitali i Traumës në Tiranë ku ndodhet i shtruar për shkak të plagëve të marra, Hasan Ferracaku konfirmon se konflikti nisi për çështjen e shezlongëve dhe se ky sqarim degjeneroi me përdorimin e armëve të zjarrit.

Ai thotë se vëllezërit Gocaj, të cilët mbetën të vrarë nga ngjarja, pretendonin se shteti duhet të ndante në terren hapësirën në plazhe, ndërsa Agjencia e Bregdetit, në varësi të Ministrisë së Turizmit, i kishte dhënë familjes Ferracaku të drejtën e shfrytëzimit.

Ashtu si babai i dy prej të vrarëve konfirmoi të dielën, edhe Hasan Ferracaku thotë se vitin e shkuar hapësira ishte përdorur nga vëllezërit Gocaj dhe se këtë vit do të administrohej prej tyre.