EMRI/ Mori me qira shtëpi për të ngritur fermën e kanabisit, si u zbulua i riu shqiptar në Britani

Një shqiptar në Britaninë e Madhe kishte marrë një apartament me qira me qëllimin për të ngritur një fabrikë kanabisi. Siç raportojnë mediat britanike, shqiptari i identifikuar si Anisi Hamollari 25 vjeç u përpoq që të korruptojë agjentët e pasurive të paluajtshme në Exeter, por ata e kuptuan.

25-vjeçari shqiptar pagoi 6,438 paund për të marrë me qira një shtëpi me tre dhoma gjumi në qytet.

Por kur fqinjët vunë re një erë të fortë bimore njoftuan agjentët e pasurive të patundshme, te cilet kontrolluan se çfarë po ndodhte.

Ata zbuluan se Hamollari po përpiqej që brenda ambienteve të shtëpisë të krijonte një fermë për të rritur lëndë narkotike.

Me qëllimin për të qëndruar, shqiptari i ofroi 7 mijë paund, por kur ata refuzuan, ai u largua. Nga kontrollet në banesë, policia gjeti 97 bimë kanabis sativa, me një vlerë prej 200 mijë paundsh.

Hamollari pasi u arrestua, u dënua me 18 muaj burg. Prokurori Richard Crabb tha se shqiptari përdori një emër të rremë me dokumente italiane.