FOTO/ Zbulim i rëndësishëm në Venus, pjesë të sipërfaqes lëvizin si në Tokë

Shkencëtarët kanë zbuluar se pjesë të sipërfaqes së Venusit lëvizin si pjesët e kontinenteve në Tokë.

E ndërsa ky aktivitet mund të mos shkaktohet nga pllakat tektonike, si në Tokë, mund të jetë ‘kushëri’ i atij procesi.

Zbulimi e prezanton planetin si tepër të gjallë, në kontrast me imazhin tradicional që ekziston për Venusin në Tokë.

Evropa do të nisë një anije hapësinore, EnVision, për të përpiluar hartën dhe për të matur përmasat spektroskopike të sipërfaqes dhe atmosferës së planetit.

NASA do të dërgojë dy anije, Veritas dhe DaVinci+, nga fundi i kësaj dekade.

‘Kemi identifikuar një model të panjohur më parë të deformimit tektonik në Venus, që nxitet nga lëvizje e brendshme, tamam si në Tokë’, thotë Paul Byrne, profesor i shkencave planetare në North Carolina State University.

‘Ndonëse ndryshe nga tektonika që shohim në Tokë, sërish është provë e lëvizjes së brendshme që shfaqet në sipërfaqen e planetit’.

Dr. Byrne, Dr. Richard Ghail, nga Royal Holloway, University of London, Prof Sean Solomon, nga Columbia University, New York, dhe kolegë të tyre vunë re shenja që blloqe të kores shkëmbore në rajonin e ulët të Venusit ishin rrotulluar dhe kishin lëvizur në raport me njëri-tjetrin. 

Blloqet, nga 100 deri në 1000 kilometra të gjatë, kanë ngjashmëri me koren e Tokës në basenet Tarim dhe Sichuan në Kinë, me basenin Amadeus në Australi dhe masivin bohemian që shtrihet në pjesën më të madhe të Republikës Çeke.

Richard Ghail, hulumtuesi kryesor në misionin EnVision të Agjencisë Hapësinore Evropiane (ESA), tha për BBC Neës: ‘Ky studim tregon se kemi shumë për të mësuar për Venusin dhe se atje ka një spektër shumë më të gjerët të lëvizjes në sipërfaqe se sa thjesht pllaka tektonike’.

Tradicionalisht, litosfera e Venusit – shtresa e jashtme shkëmbore – mendohej të ishte një copë e tërë, ndryshe nga e Tokës, e cila është e ndarë në një mozaik pllakash tektonike të lëvizshme.

Edhe Hëna, Marsi e Mërkuri mendohet të kenë litosfera statike.