Ceremonia mortore e Musaen Zenelit, Myftiu Sytari: Po largohesh, duke shpëtuar nga propaganda

Paraditën e kësaj të hëne, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, mori pjesë në ceremoninë mortore të 20-vjeçarit Musaen Zeneli, që humbi jetën në mënyrë tragjike një ditë më parë në masakrën e Velipojës, ku katër persona mbetën të vrarë dhe dy të tjerë të plagosur.

Myftiu iu drejtua të pjesëmarrësve që kishin ardhur për të shprehur ngushëllimet e tyre, duke theksuar se njeriu ka ardhur në këtë botë për ta jetuar jetën e tij të përkohëshme me besim e dinjitet, për të ndërtuar e zhvilluar të mirën, jo për ta konsideruar atë si mallin më të lirë e të pavlerë!

“Allahu të mëshiroftë, djali ynë, që po largohesh nga kjo botë, duke shpëtuar nga propaganda e mjerimi, nga statuset në fb të atyre që po e shkatërrojnë këtë vend e që sot “qajnë” për ty; nga statuset populiste e të pavlera, që vlerësohen më shumë se zemra e djegur e nënës tënde, që nuk do të gjejë më rehati, sa të ketë jetë!

Allahu të mëshiroftë e të pranoftë me butësinë e faljen e Tij, e ne na udhëzoftë se shumë larg kemi devijuar rrugën!”, – tha ndër të tjera në fjalën e tij para faljes së namazit të xhenazes, që u dëshmua nga besimtarë të shumtë, imamë e drejtues të shoqatave bamirëse.”

Musaen Zeneli, vetëm 20 vjeç, kishte ditën e parë të punës si kamerier dhe kjo ditë rezultoi të jetë edhe e fundit e jetës së tij, pasi u vra nga plumbat e rivalëve për territor në Velipojë.