'Kazanë të ‘mbushur’ me vota'

Shkruan Oerd Bylykbashi

Ka dy lloj votash të lira në këtë shtetin tonë: votë e lirë sepse nuk ta prek kush dhe votë e lirë sepse tregtohet lirisht.

E para nuk ka çmim. E dyta ka çmim burse. Kur votën e lirë e mbyt vota e shitur me para, vende pune, ‘zgjidhje’ elektorale hallesh, interesa ‘më jep -të jap’ e çdo lloj tjetër klientelizmi, uji i pushtetit publik pushon së rrjedhuri, qelbet e kthehet në kënetë.

Por përpara tij, në pellg ngjyrë myshku është kthyer ndërgjegja e atyre që votën e tregtuan me çmimin që i vendosën vetë. Janë minorancë në krahasim me të djathtët, të majtët apo votues ‘gri’ që votën e kanë pa çmim, por janë mjaftueshëm për të qenë minoranca që bën diferencën.

Një rrip prone, një derë makine e gërvishtur në parkim mund të kushtojë jetën. Madje tashmë edhe një shezlong mund të kushtojë po aq shtrenjtë, por vota ama mund të shitet lirisht. Politika e degraduar e stimulon këtë kurs këmbimi sepse i intereson.

Faji sërish shigjetohet te politika ama ata që shesin votën duke zhbërë votën e atyre që e kanë pa çmim, e mpijnë ndërgjegjen duke ia vënë fajin politikës që i ka zhytur në halle e mungesë shprese.

Blerësit politikë nuk blejnë dot pushtet nëse askush nuk shet aksionin e tij tek pushteti publik që quhet votë. Shoqëria po emancipohet për lloj-lloj çështjesh e të drejtash, përfshirë edhe tabu. Ama 100 vjet pas zgjedhjeve të para të 1921 vota nuk është emancipuar ende.

Plehrat që derdhen prej kazanëve rrugëve në Durrës dhe krimi i derdhur rrugëve janë veç simptoma të një pushteti të degjeneruar, në kryeministri apo në bashki, që nuk jep llogari tek zgjedhësit por u kërkon llogari atyre që ua merr votën. Fundja më shumë rëndësi ka llogaria se si ndahen paratë e taksapaguesve që paguhen tek inceneratorët e pushtetit apo sa është çmimi për ton plehra. Kazanët mund të presin plot në mes të vapës në fillim të sezonit turistik.

Mandati i deputetit në Durres i Edi Ramës dhe pamjet e  plehrave që mbulojnë qytetin apo lajmet për krimet, jane veç dy anë të së njëjtës kartmonedhë që më 25 prill 2021 rrëzoi parimin që vota e lirë përcakton pushtetin publik. Është paraja ajo që e përcakton për fat të keq! Sa më pak t’i trazojë ndërgjegjet ky ‘parim’ i ndotur, aq më e madhe është këneta ku lajm janë vrasjet dhe koncesionet për inceneratorë plehrash.

Fundja bursa e inceneratorëve të plehrave e ka barazuar çmimin e një ton plehra me atë të një vote: diku tek 50 Euro. Shet një votë dhe zëre se more një ton plehra si klering për katër vitet që vijnë.

Pas katër vitesh do të vazhdojmë të shohim sa do të jetë bursa?