Blinken dhe Papa zhvillojnë bisedime në Vatikan pas vendimit të peshkopëve

Qyteti i Vatikanit - Papa Françesku zhvilloi të hënën bisedime me Sekretarin e Shtetit të SHBA, Anthony Blinken, i cili vizitoi Vatikanin pas një vendimi nga peshkopët katolikë amerikanë që mund të çojë në mohimin e kungimit të Presidentit Joe Biden.

Blinken është zyrtari më i lartë i administratës së Biden-it që pontifi ka takuar që nga inagurimi këtë janar.

Blinken zhvilloi bisedime private me Papa Françeskun në Pallatin Apostolik të Vatikanit pasi bëri një takim të veçantë me Sekretarin e Shtetit, Kardinalin Pietro Parolin dhe Kryepeshkopin Paul Gallagher, ministrin e Jashtëm të Vatikanit.

Nuk pati asnjë informacion të menjëhershëm mbi detajet e bisedimeve por zëdhënësi i Vatikanit Matteo Bruni tha se atmosfera ishte e përzemërt.

Vizita pason një konferencë në të cilën peshkopët katolikë amerikanë votuan për të hartuar një deklaratë mbi Kungimin që mund të qortojë politikanët katolikë, përfshirë Biden, sepse mbështesin të drejtën e një gruaje për abort, pavarësisht se e kundërshtojnë praktikën personalisht.

Peshkopët vendosën të shkojnë më tej me dokumentin, kryesisht duke shpërfillur një paralajmërim të Vatikanit se ai do të ishte shumë përçarës.

Bruni tha se takimi "ishte një rast për Papën për të rikujtuar udhëtimin e tij të vitit 2015 (në Shtetet e Bashkuara) dhe për të shprehur dashurinë dhe vëmendjen e tij për njerëzit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës".

Vatikani dhe administrata e Biden bien dakord mbi rreziqet e ndryshimit të klimës, e cila ishte një pikë kryesore e mosmarrëveshjeve me Shtëpinë e Bardhë kur Donald Trump ishte president.

Trump ishte mospërfillës i problemit dhe i shkatërroi politikat dhe rregulloret e klimës për lëndët djegëse fosile.

Papa e kritikoi tërheqjen e Trump, e Shteteve të Bashkuara, nga marrëveshja e Parisit 2015 për të kufizuar ngrohjen globale dhe  e mirëpriti kthimin e Biden në marrëveshje.

Papa Françesku, i cili në maj priti të dërguarin e Klimës së Biden, John Kerry, u ka kërkuar kombeve që të punojnë së bashku për të shpëtuar planetin.