VIDEO/ Poli Hoxha: Deklaratat dhe alibitë e Çuçit, më të turpshmet që nga koha e Koçit e Poçit!

I ftuar në studion e lajmeve të orës 12.00 në Syri TV, gazetari Poli Hoxha ka komentuar situatën e rënduar kriminale në vend dhe deklaratat e ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi në konferencën e sotme për mediat.

Hoxha e quajti qëndrimin justifikues të Çuçit duke mos marrë asnjë përgjegjësi për situatën kriminale dhe atë të aksidenteve në vend, si më të turpshmin që nga koha e ministrave të Brendshëm Petro Koçi, Spartak Poçi, etj.

Sipas Hoxhës, ministri i Brendshëm fajësoi gjithkënd, relativizoi edhe ngjarje të tmerrshme si ajo e aksidentit me 4 të vdekur në aksin Fier-Vlorë dhe përleshjes së armatosur në plazhin e Velipojës me po aq viktima, por në asnjë moment nuk morri përgjegjësi dhe as dha shenja reflektimi për të ardhmen.

“Qëndrimi i këtij ministri është i frikshëm dhe në vazhdim të mënyrës se si ka qeverisur Rama për 8 vite, e që duket do ta shohim edhe në katër vitet në vazhdim. Krijojnë alibi, fajësojnë gjyqtarë e prokurorë, por vetë nuk kanë asnjë përgjegjësi apo mangësi në punën e tyre. Plot 15 herë ministri i Brendshëm tregoi rastin e një të arrestuari me pistoletë që kishte fishekun në “gojë”, por u lirua nga gjykata. Por në asnjë moment nuk tregoi, se çfarë bën policia për të kapur apo zbardhur emrat e atentatorëve të cilët pasi kryejnë ekzekutime në mes të qyteteve, “zhduken” dhe djegin makinat dhjetëra kilometra larg”, tha Hoxha.

Gjithashtu duke u ndalur në rastin e masakrës së Velipojës, ai shpjegoi se kjo po ndodh për arsye se qeveria ka hapur një “tender” për rërën e plazheve; kush paguan më shumë dhe cili ka lidhje direkte me ministra e deputetë të Rilindjes…

Kjo ka krijuar konflikte të forta mes bizneseve në terren, të cilat pastaj shkasin deri në përdorimin e armëve si në Velipojë, apo djegia dhjetëra shezllonëve në Vlorë.

I pyetur për pastrimin masiv të parave që po ndodh në vendin tonë dhe veçanërisht në sektorin e ndërtimit, Hoxha tha se kjo nuk është një gjë që duhet të na habisë me Edi Ramën kryeministër.

Sipas tij është e njëjta skemë që Rama ka përdorur ai kur ishte 11 vite kryetar bashkie në Tiranë, por tashmë e ka shtrirë në të gjithë vendin.

Për më shumë ndiqeni më poshtë të plotë, intervistën e gazetarit Poli Hoxha dhënë për Syri TV.